Varank: Gabimet më të vogla në inteligjencën artificiale shkaktojnë aksidente të mëdha

Ministri turk i Industrisë dhe Teknologjisë, Mustafa Varank bëri të ditur se gabimet më të vogla në teknologjinë e bazuar në inteligjencën artificiale do të mund të shkaktojnë aksidente të mëdha, ndërsa si shembull e tregoi kompaninë Boeing.

Në fjalën e mbajtur në seancën e dytë të mbledhjes së Ministrave të Ekonomisë Digjitale të mbajtur në kuadër të kontakteve gjatë samitit të G-20-ës që po organizohet në Japoni, ministri Varank tha se inteligjenca artificiale duhet t’u shërbejë interesave të qenieve njerëzore duke promovuar rritjen gjithëpërfshirëse, zhvillimin e qëndrueshëm dhe prosperitetin global.

Duke vënë në dukje se qeveritë duhet të zhvillojnë standarde globale teknike të bazuara në konsensus për një sistem të besueshëm të inteligjencës artificiale, ministri Varank tha: “Gabimet më të vogla në teknologjinë e bazuar në inteligjencën artificiale do të mund të shkaktojnë aksidente të mëdha. Si shembull mund t’i marrim avionët Boeing 737 Max. Kush do të japë llogari për jetët e humbura në këto aksidente dhe miliarda dollarë të humbura nga kompanitë ajrore? Prandaj, e ardhmja e inteligjencës artificiale nuk mund të lihet në iniciativën e një pjese të kompanive të mëdha, si në industrinë e aviacionit dhe hapësirës. Turqia është në favor të krijimit të një organizate globale, ku do të adresohen çështjet lidhur me inteligjencën artificiale dhe ku secili vend do të ketë të drejta të barabarta”.

Në anën tjetër ministri Varank në kuadër të aktiviteteve zhvilloi edhe kontakte dypalëshe me shumicën e homologëve të tij.

Varank pati takime me ministren e Industrive Digjitale dhe Krijuese, Margo James, ministrin e Shkencës dhe Teknologjisë së Informacionit të Koresë së Jugut, You Young Min, Zëvendëskryetarin e Komisionit të BE-së, Andrus Ansip dhe ministrin e Ekonomisë dhe Energjetikës së Gjermanisë, Peter Altmaier./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne