Vasili: Brukseli kryqëzon koncesionet, BE në Tiranë hesht

Vasili risjell në vëmendje projektligjin e LSI-së që kërkon transparencë për koncesionet duke u ndalur dhe tek efektet e tyre por thotë se ky draft është bllokuar nga maxhoranca.

STATUSI I PLOTË I PETRIT VASILIT

BE në Bruksel kryqëzon koncesionet, BE në Tiranë hesht, rilindja krihet, bllokon edhe ligjin e LSI për koncesionet.
Koncesionet sipas BE janë një histori dështimi ekonomik të frikshëm për Greqinë duke qenë një nga premisat themelore për kolapsin ekonomik të saj.
Po sipas BE janë histori dështimi në Spanje në rajonin e Catalunjas (Barcelonës) dhe në Irlande, me gjithë kapacitetet. Menaxhuese të jashtëzakonshme të këtyre vendeve.

Problemet ekonomike të krijuara nga koncesionet u kanë kushtuar miliarda euro financave publike të këtyre vendeve. Ndaj BE është shumë e shqetësuar për to.
Ndërsa në Shqipëri koncesionet janë një histori e qartë hajdutërie me pasoja shkatërrimtare, ndonëse BE në Tiranë vetëm ngazëllehet e duartroket pikërisht të kundërtën e asaj që shqetëson maksimalisht BE në Bruksel.

Rilindja si atavizëm i konfliktualitetit ekstrem, arrogancës provinciale demode dhe antitransparencës së bunkerizuar, pengon prej më shumë se dy vitesh projektligjin e propozuar nga grupi parlamentar i LSI për koncesionet.

Projektligji i LSI kërkon transparencë maksimale, debat të hapur parlamentar që kthjellon e shteron të mirat e të këqijat e çdo koncesioni si dhe maksimizon marrjen por edhe përcjelljen e përgjegjësive në maxhoranca të ndryshme pa kosto të frikshme për shkak të kontratave koncesionare të gabuara dhe shkatërruese për ekonominë dhe për cilësinë e shërbimeve ndaj qytetarëve, kolapsin ekonomik.

Bllokimi arbitrar dhe antiparlamentar i projektligjit të LSI vetëm nga rilindja në parlament është një faqe e zezë për rilindjen dhe për dimensionin parlamentar të saj.

Rilindja si mishërim i një politike vulgare, të egër dhe primitive që urren debatin, urren kompromisin parimor politik dhe urren pranimin e zgjidhjeve kur ato vijnë nga kundërshtarët, mbyll çdo ditë me sjelljen e saj çdo mundësi dhe hapësirë për dialogun aq të domosdoshëm politik.

Hajdutërinë e koncesioneve e shemb vetëm transparenca çdo rrugë tjetër është plaçkitje dhe dështim ekonomik dhe social.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne