Vazhdojnë protestat në Francë, dëmet ekonomike arrijnë shifra kolosale

Jelekët e verdhë, që kanë dalë në rrugë në qytete të ndryshme të Francës me në krye kryeqytetin Paris, protestuan Presidentin Emmanuel Macron dhe qeverinë e tij.

Protestat e jelekëve të verdhë vazhduan në javën e 14-të nën masa të gjera sigurie.

Protestuesit e mbledhur në rrugën “Champs-Elysees” në Paris, marshuan në kryeqytet. Gjatë marshimit pati një tension të shkurtër ndërmjet policisë dhe protestuesve.

Më pas, kur protestuesit shkuan në Sheshin “Invalides” dhe hodhën gurë e shishe ndaj policisë, u ndeshën me gaz lotsjellës.

Drejtoria e Policisë së Parisit bëri të ditur se në kryeqytet u arrestuan 16 persona.

Kurse bllokimi i autostradës A7 nga ana e protestuesve në Lyon shkaktoi pengesë në trafik.

Protesta pati gjithashtu edhe në Bordeaux, Toulouse, Marseille, Nantes, Strasbourg, Nice dhe Saint-Etienne.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në protestat në rang vendi morën pjesë mbi 10 mijë e 200 persona, 3 mijë prej tyre në Paris.

Protestat që vazhdojnë prej 17 nëntor 2018 janë kthyer në protestat më të dhunshme të viteve të fundit në Francë.

Në protesta kanë humbur jetën 11 persona dhe janë plagosur më shumë se 2 mijë të tjerë. 8 mijë e 400 persona u ndaluan nga policia dhe 1796 prej tyre u dënuan me burg.

Në protesta u vunë re përplasje herë pas here ndërmjet policëve dhe protestuesve, sulme ndaj institucioneve publike, plaçkitje e dyqaneve, djegia e automobilave dhe kazanëve të mbetjeve dhe ndërhyrje e ashpër e policëve ndaj protestuesve.

Protestat kanë shkaktuar dëme kolosale në ekonominë e vendit. Ndërkohë që numri i të papunëve për shkak të protestave është rritur në 72 mijë e 675, kostoja për shtetin arriti në 38 milionë euro.

Për shkak të protestave dëmi i dyqaneve, restoranteve dhe qendrave tregtare ka kaluar shifrën e 2 miliardë eurove ndërkohë që sektori ushqimor u dëmtua afërsisht 13 miliardë dollarë./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne