Vazhdojnë tensionet e perëndimit me Rusinë

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s ka kritikuar Rusinë për rolin e rrezikshëm të këtij vendi në Ukrainë dhe ka thënë se marrëdhëniet mes aleancës dhe Rusisë ndodhen në kushtet më të vështira që nga koha e luftës së ftohtë.

Jens Stolenberg në një fjalim të tij ka thënë se “ është e drejtë të themi se marrëdhëniet tona me Rusinë janë akoma më të vështira sesa periudha pas luftës së ftohtë”. Ndërkohë Rusia i ka dënuar ato që i ka quajtur, komente “destabilizuese” nga nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara, Mike Pence gjatë vizitës së tij në Ballkanin Perëndimor, pasi sipas saj, është pasqyruar mendësia e Luftës së Ftohtë të Uashingtonit. Pence, ka thënë më 2 gusht në Malin e Zi, se “Rusia ka punuar në destabilizimin e rajonit, minimin e demokracisë dhe ndarjen nga njëri-tjetri dhe nga gjithë Evropa”, duke u bërë thirrje liderëve të Ballkanit “të jenë të pa kompromis gjatë përballjes me agresionin rus”. Ministria e Jashtme e Rusisë, ka thënë, se Pence ka prezantuar zgjedhje destruktive, të cilat “pa dyshim do të ndihmojnë në rritjen e tensioneve” në Ballkan. “Shtetet e Bashkuara në vazhdimësi janë duke e përmendur teorinë e tyre se Evropa Juglindore nuk ka zgjidhje tjetër, përveç asaj të anëtarësimit në NATO”, ka shtuar ministria. Sipas saj, “është për keqardhje që Uashingtoni është duke lëvizur më thellë drejt ideologjisë primitive të Luftës së Ftohtë, e cila është plotësisht e shkëputur nga realiteti”. Kjo ministri i ka bërë thirrje SHBA-së, të ndalojë dezinformatat për Rusinë dhe politikën e saj të jashtme, pasi sipas saj e njëjta është e bazuar në respekt për aleatët e saj dhe e gatshme të punojë me partnerët ndërkombëtarë./ PT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne