Shqiperia

Vazhdon epidemia e hidrocentraleve: dyfishohet numri i koncesioneve të dhëna

Nga Artan Rama

Numri i përgjithshëm i hidrocentraleve të miratuara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka arritur 714. Shifra, rreth dy herë më e lartë, sesa të dhënat e ofruara nga autoritetet, i përgjigjet 259 kontratave përfundimtare dhe 132 marrëveshjeve paraprake, të nënshkruara gjatë dy dekadave të fundit. Aktualisht, qeveria kujdeset të raportojë një shifër më të ulët të numrit të impianteve që prodhojnë energji elektrike nga burime hidrike.

Në janar, Belinda Balluku, ministre e porsaemëruar e Infrastrukturës dhe Energjisë njoftoi publikisht shifrën 440. Por kjo rezulton të jetë e pasaktë, pasi u referohet vetëm të dhënave të Agjencisë së Trajtimit të Koncesioneve (ATRAKO). Shifra e ATRAKO-s, e cila, sidoqoftë është akoma më e lartë (466), reflekton në masën 90 për qind, kontratat e nënshkruara deri në vitin 2013.

Sipas Listës ATRAKO—një nismë e Bankës Botërore për transparencë, e zbatuar prej Ministrisë së Ekonomisë—numri i kontratave koncensionare në fushën e energjisë prej burimeve hidrike, të nënshkruara deri tani, mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe kompanive private është 185 dhe i përgjigjet një numri të përgjithshëm prej 466 hidrocentraleve të regjistruara.

Regjistrimi i fundit në listë i përket koncesionit për ndërtimin e digës së Kalivaçit, nënshkruar qershorin e shkuar.

Po ku ndodhet pjesa tjetër e hidrocentraleve?

Ato gjenden në listën e kapaciteteve të reja prodhuese të energjisë elektrike, me fuqi të instaluar deri nën 2 MW dhe që nuk janë objekt koncesioni, të miratuara në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 822, datë 7.10.2015, “Për miratimin e procedurave të ndërtimit të kapaciteteve të reja…”. Kjo listë, ende jo publike (por e siguruar përmes një vendimi gjyqësor, pas refuzimit për akses nga Ministria e Energjisë), përfshin 73 kontrata të reja që i përgjigjen 79 hidrocentraleve dhe një regjistri prej 132 propozimesh të pakërkuara për ndërtimin e impianteve për prodhimin e energjisë, të cilat janë miratuar paraprakisht dhe që i përgjigjen 144 hidrocentraleve të tjera.

Në fund të 2015-s, qeveria Rama shmangu metodën e koncesionit për miratimin e hidrocentraleve, por nuk ndaloi miratimin e mëtejshëm të tyre. Qeveria  “i privilegjoi” kompanitë private, duke përjashtuar investitorët nga gara me oferta dhe lehtësoi procedurat, duke ia kaluar të drejtën e miratimit ministrit të energjisë e jo komisionit te specializuar të vlerësimit të ofertave. Me anë të VKM 822/2015, HEC-et nën 2 MW i jepeshin kërkuesit të parë, pa ndonjë garë të mirëfilltë mes investitorëve të interesuar, siç ndodh në rastin e HEC-eve, që miratohen nëpërmjet kontratës së koncesionit.

Qysh atëherë, duke përjashtuar 6-mujorin e parë të  2019-s, kur Ministria e Energjisë shpalli ngrirjen e përkohshme të dokumentacionit licencues, intensiteti i miratimit ka qenë i lartë. Vetëm gjatë tri viteve të fundit u miratuan 223 hidrocentrale, afërsisht, gjashtë në muaj. Ndërkohë, procesi i mëtejshëm, kontraktimi i plotë i hidrocentraleve po vijon, deri tani, për çdo tre hidrocentrale të miratuara, ministria ka arritur të nënshkruajë një kontratë përfundimtare.

Viti 2017 rezulton më i ngarkuari, me 60 për qind të numrit të përgjithshëm të hidrocentraleve të miratuara.

 

Në Listën ATRAKO, 2009-a dhe 2013-a, rezultojnë me numrin më të madh të kontratave të nënshkruara. Të tria këto vite (së bashku me vitin 2017) kanë qënë, njëkohësisht vite elektorale.

 

Hidrocentralet e fundit i përkasin një kontrate koncesionare të nënshkruar qysh në vitin 2002, mes Ministrisë së Industrisë dhe Energjitikës dhe shoqërisë italiane Essegei s.r.l. për shfrytëzimin e njëzet e pesë hidrocentraleve vendore, të ndërtuara gjatë periudhës komuniste, shumica e të cilave ishin dëmtuar përgjatë viteve dhe në ’00, shumica e tyre ishin nxjerrë jashtë përdorimit.

Deri tani autoritetet kanë anuluar vetëm tre hidrocentrale (të miratuara paraprakisht, por jo të kontraktuara) dhe kanë premtuar se do të prishin në mënyrë të njëanshme 27 kontrata jo funksionale që u përgjigjen 80 hidrocentraleve. Nuk ka asnjë informacion publik, nëse një premtim i tillë po zbatohet, qofte dhe për një kontratë të vetme, por ministria e energjisë ka theksuar, më shumë se një herë, se aksioni 4-mujor mbi verifikimin e zbatimit të kushteve të kontratave koncesionare, në gjysmën e parë të 2019-s,synoi përmbushjen e detyrimeve kontraktuale e jo anulimin e tyre.

Po çfarë parashikon të bëjë Ministria e Energjisë me kontratat jofunksionale? A do të rikontraktohen kompani të reja, me qëllim përmbushjen e këtyre detyrimeve? Kjo mbetet për t’u parë.Deri tani nuk ka ende një iniciativë konkrete.

Një eksperte e Grupit të Oponencës pranë AKBN-së (Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore) shprehu shqetësimin se tani ekziston rreziku për fragmentarizim të mëtejshëm të rrjedhave ujore, duke zvogëluar kapacitetet instaluese në favor të një numri më të madh kontratash. Sipas ekspertëve, fragmentarizimi i rrjedhave është i padobishëm dhe përfitimi ekonomik prej tij është më i vogël sesa dëmi social apo mjedisor që shkakton.

Kështu, në total, numri i hidrocentraleve të miratuara është 714.

Ky rekord vjen në një kohë kur konfliktet mes grupeve të interesit po shtohen; planet e menaxhimit të baseneve ujore ende nuk janë miratuar dhe kur transparenca e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë po zbehet në funksion të një propagande me shkëlqim të rremë./ exit.al

OPINIONE