“Vdekja e Soleimanit minon të moderuarit në Iran”

Vrasja e gjeneralit të lartë ushtarak iranian Qasem Soleimani në një sulm ajror me dron amerikanë ka vendosur politikanët e moderuar në Iran në qendër të stuhisë, mes tensioneve në rritje me Washingtonin.

Soleimani, kreu i forcës elitare të Gardës Revolucionare të Iranit, Kuds, u vra të premten në një sulm ajror të urdhëruar nga Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, në afërsi të aeroportit të Bagdadit.

Vdekja e tij çoi në një përshkallëzim dramatik në tensionet midis SHBA-së dhe Iranit, të cilat shpesh kanë qenë të acaruara që kur Trump vendosi në vitin 2018 që të tërheqë njëanshëm Washingtonin nga pakti i marrëveshjes mbi programin bërthamor me Iranin.

“Për momentin, elita politike iraniane po tkurret pas vrasjes së gjeneralit Soleimani, por me siguri të moderuarit kanë humbur besueshmërinë në sytë e institucionit konservator”, tha historiani dhe autori iraniano-amerikan Pouya Alimagham për AA.

Vrasja ka shkaktuar zemërimin e opinionit të gjerë duke shkaktuar protesta në Iran në mes të kundërshtimit në rritje të çdo përpjekjeje për dialog dhe pajtim me SHBA.

“Ata që ende flasin për marrëveshje dhe pakte dhe bëjnë thirrje për bisedime me tradhtarët (SHBA dhe aleatëve të saj) nuk do të falen nga historia”, tha një protestues për AA gjatë një tubimi në Teheran të shtunën.

“Sot, ne jemi të gjithë Soleimani dhe kjo do të thotë rezistencë e palëkundur kundër fuqive arrogante”, tha ai.

Alimagham tha se fakti që Trump prishi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 dhe rivendosi sanksionet ndaj Iranit, ai me këtë forcoi konservatorët dhe minoi të moderuarit.

“I gjithë arsyetimi i Trumpit ishte i bazuar në supozimin se ai mund të arrinte një marrëveshje më të mirë. Ndërsa kjo ishte tepër e paarritshme para vrasjes së Soleimanit, kurse tani është e pamundur”, tha ai.

Sipas Alimagham, marrëveshja bërthamore tani është “hequr nga aparatet e kujdesit intensiv dhe është e vdekur dhe e varrosur”.

Thirrjet për hakmarrje

Hamidreza Azizi, profesor në Universitetin Shaheed Beheshti në Teheran, mendon se dikotomia e vijës së ashpër në politikën e Iranit nuk do të jetë më e rëndësishme pas vdekjes së Soleimanit.

“Të gjitha fraksionet politike tani janë duke marrë një qëndrim antiamerikan” tha ai për AA.

“Por është shumë herët që të parashikojmë ndikimin e incidentit të fundit në drejtimin e politikës së brendshme të Iranit dhe fatin e administratës së Presidentit Hassan Rouhani”, tha ai.

Rouhani, një politikan i moderuar, ishte arkitekti i marrëveshjes bërthamore të 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore.

Ndërsa iranianët po mblidhen për “hakmarrje”, tensionet janë përshkallëzuar në mënyrë alarmante në rajon, kurse disa vende po përpiqen të mbajnë Iranin nga çdo veprim hakmarrës kundër SHBA-së.

Të shtunën, ministri i Jashtëm i Katarit, Mohammad bin Abdulrahman Al Thani, vizitoi Teheranin dhe zhvilloi bisedime me homologun e tij iranian, Javad Zarif.

Megjithëse autoritetet iraniane nuk publikuan detaje të bisedimeve, burimet thanë se ministri i Katarit i ka kërkuar Teheranit të tregohet i përmbajtur pas vrasjes së Soleimanit.

Të premten, organi i lartë i sigurisë i Iranit u zotua për “hakmarrje të ashpër” në “kohën e duhur dhe vendin e duhur” për vrasjen e Soleimani.

Trupi i Soleimanit mbërriti në qytetin jugor Ahvaz nga Iraku të dielën dhe u transferua në Mashhad për ceremoninë që do të mbahet të hënën.

Pentagoni akuzoi Soleimanin për komplotin e një sulmi në kompleksin e Ambasadës së SHBA-së në Bagdad, dhe se po planifikonte të kryente sulme tjera mbi diplomatët dhe anëtarët e stafit amerikan në Irak dhe rajon.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne