Rajoni

Vdekja makabre e 16 vjeçares nga Saranda, gjykata burgos taksistin grek!

Gjykata e Janinës ka vendosur që të çojë në burg një taksist grek i cili po shoqëronte me makinë Kostandina Anagnostin, 16 vjeçaren shqiptare që humbi jetën në vitin 2014, më 15 nëntor.

Ngjarja në fjalë ka risjellë dhe njëherë në memorie momentet e rënda të vdekjes misterioze të 16 vjeçares, e cila kishte ardhur në Shqipëri (Sarandë) për të kryer disa vizita tek mjeku dentist.

Në atë kohë asgjë s’ka ndodhur, por teksa e reja po kthehej drejt Janinës, ajo ka humbur ndjenjat në taksi e më tutje ka shkuar e vdekur në spital.

Ekspertiza mjeko- ligjore u krye në Shqipëri. Analizat nxorrën përfundimin se e reja kishte vdekur për shkaqe natyrale dhe hetimet u pushuan. Por ka qenë babai i vajzës i cili nuk e ka pranuar këtë rezultat dhe ka vijuar që çështjen ta ndjekë në Greqi përmes një denoncimi e një tjetër autopsie.

Autopsia atje doli në të tjera rezultate. Mjeku grek tha se Kostandinës i ishin hequr organet vitale nga trupi, në një mënyrë jo profesionale dhe jashtë çdo standarti të mjekësisë ligjore, duke lënë të kuptohet se trupi i të resë kishte ardhur pa organe në Greqi.

Sipas tij, nga trupi i 16-vjeçares mungonte baza e gjuhës, epiglotisi, trakeja, laringu, mitra dhe truri. Kurse në gjakun dhe në analizat e urinës që iu bënë, u konstatuan sasi të larta të likodainës (lloj anestezie).

Nga ana tjetër, kjo ngjarje ka hedhur dyshime serioze në lidhje me të gjithë dosjen e vdekjes e gjyqit respektiv për 16 vjeçaren. Ende nuk është bërë publike nëse Gjykatës i janë paraqitur prova të reja, pasi ditët e fundit prokuroria e Janinës ka thërritur rreth 7 dëshmitarë për të dëgjuar versionet e tyre mbi çështjen. Po ajo që dihet me saktësi është se Gjykata tashmë ka vendosur që ta çojë në burg taksistin që solli të vdekur në Greqi adoleshenten shqiptare.

OPINIONE