Veliaj për Teatrin Kombëtar: Askush të mos ketë iluzione, do ta prishim

Nga Gerard Gega

Qeveria dhe Bashkia Tiranë nuk kanë hequr dorë nga projekti për të shembur dhe tjetërsuar pronën e Teatrit Kombëtar, përkundrazi, sikurse është shprehur sot Kryebashkiaku Veliaj “teatri do të shembet” dhe “prishja nuk do të bëhet fshehurazi” por “në një ditë me diell”.

Në një mbledhje të Këshillit Bashkiak, ku do të diskutohej buxheti i vitit të ardhshëm, Veliaj ka folur për çështjen e teatrit. Duke paralelizuar me stadiumin kombëtar, ai ka këmbëngulur se kryeqyteti del i fituar:

“Të mos ketë asnjeri iluzione, teatri i ri do bëhet! Ne do japim parkingun e Bashkisë, komplet i pavlerë siç e patë në inspektimin që u bë, ai parking që është komplet një landfill dhe një pocaqi aty dhe në shkëmbim të një prone që shumica as nuk e ka parë se nuk ka pikë vlere, përveç se kur vajtëm nga bashkia për ta inspektuar, do marrim një teatër që vlen minimalisht 30 milionë euro. Nëse është dikush më i aftë, i vetmi më i aftë për të bërë një punë të tillë ka qenë kryeministri që dha prapë një zgëqe “Qemal Stafën” dhe sot po del një bizhu për Tiranën. Nuk ka asnjë arsye pse të mos e replikojmë”

Projekti i Teatrit Kombëtar kundërshtohet nga qytetarë dhe artistë të cilët janë angazhuar në protesta. Kundërshti kanë shprehur edhe opozita, Presidenti Meta dhe BE.

Për teatrin e ri, qeveria miratoi ligj special. Ligji u kritikua nga BE për mungesë gare dhe nuk u dekretua nga Presidenti. Socialistët ndryshuan disa aspekte të ligjit, por në tërësi mbeti i njëjtë pasi favorizon sërish kompaninë private Fusha shpk, e cila zotëron truall pranë zonës së Teatrit Kombëtar.

Në qershor u tha se procedurat e tenderit për teatrin do të rihapeshin dhe kompani të ndryshme do të ftoheshin për të marrë përsipër ndërtimin e teatrit të ri. Në mungesë totale transparence se kush kanë qenë ofertat dhe kompanitë që morën pjesë në tenderin për teatrin, Veliaj shpalli konsulencën për vlerësimin, përzgjedhjen, negocimin dhe lidhjen e kontratës me palën private. Ai u shpreh se “kostoja dhe tarifa e konsulentit të teatrit të ri do të përfshihet në buxhet”.

Projekti për shembjen dhe tjetërsimin e teatrit kundërshtohet prej rreth dy vitesh nga një grup prej aktivistëve të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit.

Kryebashkiaku Veliaj iu drejtua këtyre të fundit duke thënë:

Ruajini energjitë se ne do i bëjmë gjërat sipas procedurave, donit garë, garë bëmë! Donit komision, komision bëmë, donit sipas BE, pavarësisht se na e la tek dera, prapë sipas BE, por tani që i respektuam të gjitha teatri do bëhet. Thjesht ju them: Mos harxhoni kohë se ne do i bëjmë të gjitha procedurat dhe nuk do e prishim fshehurazi. Kur të nisë ndërtimi i teatrit të ri do ndodhë në një ditë me diell, për të filluar një punë të mirë për Tiranën, që vitin tjetër mbush 100 vjeç dhe nuk ka nevojë që shekullin e dytë të vetin ta jetojë tek teatri I shekullit të parë, por duhet të ketë një teatër të ri”.

Sipas propozimeve të shkuara, Fusha shpk ofrohej të ndërtonte teatrin e ri në këmbim të një pjese të truallit publik dhe lejes për të ndërtuar kulla shumëkatëshe. Ligji për teatrin është dërguar në Gjykatë Kushtetuese nga Presidenti Meta./ exit

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne