Vëllai i Klement Balilit: Pse e quajnë “Eskobar” dhe ku i gjetëm paratë për “Santa Quaranta”

Bashkim Balili, vëllai i Klemend Balilit në një intervistë për Ora News, deklaron se hoteli i sekuestruar nga policia “Santa Quaranta” është ndërtuar sipas tij me lekë të pastra dhe akuzon politiken se po e përdorin për interesat e tyre.

“Këto akuza janë politike dhe nuk qëndrojnë. Unë mendova dhe ia besova këtë gjë drejtësisë, e cila duhet të bashkëpunonte për të zbardhur të vërtetën dhe për ta vënë vëllain tim para fakteve të akuzave të ngritura nga policia greke dhe shqiptare. Kjo jo vetëm që nuk ndodhi, por u ndërtua një fushë shpifjesh dhe alibirash që politikanët e përdorën për interesat e tyre dhe më detyruan që të vij para medias për të paraqitur fakte për të treguar që këto akuza nuk qëndrojnë dhe politika i përdor për interesat e tyre” – thotë Balili duke shtuar: “Dua ti bëj thirrje qeverisë dhe politikanëve dhe ta ndërpresin këtë hov shpifjesh pa dokumente dhe fakte”.

“Klement Balili nuk ka pjesë në këtë pasuri. Kjo pasuri është e Bashkim Balilit. E kam filluar aktivitetin që në vitin 1994 dhe kam provat që jam subjekt dhe ushtroj aktivitetin konform rregullave dhe ligjit të shtetit shqiptar. Nuk kam filluar në 2015 siç pretendohet dhe imponohet për të marrë masa ekstreme. Unë kam marrë pjesë në ankandin e zhvilluar për shitjen e pasurive nga transparenca. Me ofertën ekonomike më të madhe nga të gjithë ofertuesit e tjerë jam shpallur fitues pa asnjë ndikim. Kjo pasuri është blerë nga Bashkim Balili që jam unë”.

Me çfarë para është blerë kjo pasuri, kjo pronë?
“Kjo është blerë me të ardhurat e firmës. Të ardhurat e firmës time nga 1994 deri në 2001 në bazë të bilanceve, vlera e blerjes së objektit është 84 milionë e 60 mijë lekë. Të ardhurat e subjektit në bazë të bilanceve të deklaruara në tatime janë 85 milionë që janë më shumë sesa vlera e objektit dhe kjo pasuri është blerë me para të pastra të rrjedhura nga biznesi.

Në kohën kur unë kam filluar biznesin vëllai im ka qenë adoleshent, nuk kishte moshën për të qenë në biznes dhe për tu marrë me biznes dhe me këto shpifje”– thotë Balili i cili e mbyll me fjalët: “Ne jemi njerëz të thjeshtë, punojmë dhe rrojmë me “djersën e ballit”. Këtu politikanët më përdorin pa më njohur mua për të mbuluar interesat e tyre. Duke e ndjerë se brenda vetes kanë atë krizën e tyre, e nxjerrin lajm kryesor, “Eskobarin” e Ballkanit. Pra për interesa të tyre për të mbuluar krizën e tyre kanë filluar të gjithë politikanët e të gjitha ngjyrave të përdorin këtë “Eskobar, Eksobar, Eskobar”

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne