Vendimi do të shtyhet! – Euractiv: Në shtator, “po” Maqedonisë së Veriut, “jo” Shqipërisë

“Euractiv”, që është media më e madhe e fokusuar në çështjet dhe politikën e brendshme në Bruksel, shkruan se të Martën, vendet anëtare të Bashkimit Europian do të shtyjnë vendimin për çeljen ose jo të negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Me shumë gjasa, shtyrja do të fiksohet për në muajin Shtator, thonë burimet për Euractiv.

Arsyeja kryesore e kësaj shtyrje mbetet Gjermania, vend i cili ende nuk ka sistemuar politikën e saj të brendshme. Shtyrja ndërkohë gëzon mbështetjen edhe të një pjese të madhe të vendeve anëtare. E ndërkohë që shtyrja e së Martës duket të jetë fakt, po ashtu duket të jetë edhe fakti se thuajse të gjitha vendet anëtare janë dakord ti thonë “PO” Shkupit, ndërkohë që nuk janë aspak të bindura për Tiranën. Aktualisht, gjasat që në Shtator, Maqedonia e Veriut të hapë negociatat dhe Shqipëria jo, janë shumë të larta.

Është vetëm një vend i cili, sipas burimeve për Euractiv,  kërkon që dy vendet e Ballkanit Perëndimor mos të ndahen, dhe ky vend është Italia, një partner strategjik edhe në politikën tonë të jashtme. Nga ana tjetër, dy vendet në krye të listës së skeptikëve sa i përket zgjerimit të unionit, Holanda dhe Gjermania janë gati të hapin negociatat me Maqedoninë e Veriut. Të njëjtat burime shprehen të sigurta se qeveria holandeze do të vendosë veton për anëtarësimin e Shqipërisë. Ndër skeptikët, vetëm Franca është ende duke u menduar. Burimet thonë se, Franca po mendon të ndjekë pozicionin e Holandës për Shkupin ndërkohë që për Shqipërinë, vendimi pozitiv do të ishte i parakohshëm.

Parisi zyrtar dhe Komisioni Europian kanë në dorë të vendosin në rast se janë pro apo kundër ndarjes së dy shteteve në procesin e integrimit europian. Ndërkohë, Komisioni Europian nuk lëviz nga qëndrimi se s`ka për ta pranuar kurrë diçka të tillë./dita

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne