Vendimi/ Fatmira Hajdari 948 mijë USD pasuri të paligjshme, tentoi ta fshihte, prapaskenat e shkarkimit të bujshëm

Gjyqtarja e Apelit në Tiranë Fatmira Hajdari është përpjekur që të fshehë pasurinë duke shkelur ligjet si dhe nuk justifikon me të ardhura të ligjshme një pasuri me vlerë 948 mijë USD. Ky është konkluzioni i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, shkallës së parë të Vetingut, në vendimin për shkarkimin e gjyqtares pas një karriere 20-vjeçare në drejtësinë shqiptare. Gjetjet rreth verifikimit 19-mujor të pasurisë dhe figurës së Fatmira Hajdarit janë përmbledhur në një dokument me 64 faqe. Në konkluzionet për pasurinë, thuhet se gjyqtarja e Apelit nuk e ka deklaruar plotësisht pasurinë, ka bërë deklarim të pamjaftueshëm, nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e pasurive si dhe ka bërë përpjekje për të fshehur një pjesë të pasurisë.

Gjithashtu, sipas Komisionit të Vetingut, Fatmira Hajdari, deri në vitin 2003, kur ka nisur për herë të parë të deklarojë pasurinë, ka mungesë të ardhurash të ligjshme për blerjen e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve në vlerën 18 milionë lekë. Ndërsa për periudhën 2003-2016, nuk justifikon shpenzimet me vlerë 80 milionë lekë. Sipas KPK, në total, Fatmira Hajdari nuk justifikon rreth 1 miliardë lekë të vjetra ose 948 mijë USD.

( Kliko këtu ) Vendimi i plotë i KPK për shkarkimin e Fatmira Hajdarit

Kryefjala e vendimit për shkarkimin e Fatmira Hajdarit nga detyra është pallati 10-katësh në zonën e njohur si ‘Vilat Gjermane’ në Tiranë. Vendimi i shkarkimit zbërthen misterin e pallatit, të cilin zonja Hajdari nisi ta ndërtonte 8 vite më parë, pra në vitin 2012. Për të ndërtuar këtë pallat zonja Hajdari ka investuar 207 mijë euro, vlerë të cilën e ka mbuluar më vonë me shitjen e vetëm dy apartamenteve.

Fillimisht, Fatmira dhe Azem Hajdari kanë përfituar si të pastrehë nga shteti 454 m2 truall dhe një banesë 95 m2, në vitin 1995, me vlerë 129 mijë lekë. Edhe për këtë pasuri gjyqtarja ka gënjyer në deklaratat e pasurisë. Ndërkaq, mbi këtë truall, zonja Hajdari ka ndërtuar pallatin (punimet kanë nisur në 2012 dhe kanë përfunduar në 2014), ku sot ka në pronësi bashkë me tre fëmijët, 12 pasuri të paluajtshme, si apartamente, dyqane dhe njësi. Gjyqtarja ka shitur 4 apartamente me vlerë 110 mijë euro, 100 mijë euro, 60 mijë euro dhe 90 mijë euro. Në këto pasuri, gjyqtarja Hajdari ka 3/6 pjesë, ndërsa tre fëmijët kanë nga secili nga 1/6 pjesë.

Nga hetimi 19-mujor, ka rezultuar se pallati është ndërtuar pa leje, nuk është deklaruar fillimi i investimit në ILDKP, nuk ka deklaruar fillimin e punimeve, nuk justifikon investimin me para të ligjshme si dhe më vonë del se trualli nuk është më 454 m2, por është rreth 900 m2.

Në 2013, ka shtuar 142 m2 truall, ngjitur me truallin e parë. Në 2015, ka shtuar edhe 150 m2, ngjitur me dy pjesët e bashkuara, ndërsa pjesa tjetër është shtuar para vitit 2013. Sipërfaqja 142 m2 ka qenë tokë publike, të cilën zonja Hajdari e ka përfituar me vendim gjykate. 150 m truall i ka marrë me VKM-në nr. 823, datë 7.10.2015 sërish nga shteti, ku pala shitëse ishte ALUIZNI Tiranë. Truallin 150 m2 e ka pëfituar me çmim total prej 978.268 lekësh, e përbërë nga pagesa prej 402.267 lekësh, bono privatizimi në vlerën 560.000 lekë. Edhe këtë pronë të re Fatmira Hajdari nuk e ka deklaruar në ILDKP.

Referuar vendimit, KPK ngre dyshime edhe sa i takon burimit të 207 mijë eurove të investuara për ndërtimin e pallatit. Për të mbuluar pjesërisht këtë shpenzim, Fatmira Hajdari deklaron se djali i saj ka shitur investimin 160 mijë euro në lokalin në Qytetin Studenti. Djali i zonjës Hajdari në vitin 2009 ka lidhur një kontratë me Ministrinë e Ekonomisë për të marrë me qira për 10 vjet ish-Sallë e Lojërave të Qytetit Studenti, 306.5 m2, me vlerë qiraje 155.000 lekë/muaj. Por, kontrata është zgjidhur dy vjet më vonë, pasi ndërtesa u ka kaluar ish-pronarëve, të cilët i kanë dhënë djalit të zonjës Hajdari vlerën e investimit, lëvizje për të cilën KPK ka ngritu një pikëpyetje të madhe.

Për këtë investim, Kirjard Hajdari, ka marrë një kredi 18 milionë lekë, në vitin 2007, pra dy vjet para se të lidhte kontratën me Ministrinë e Ekonomisë. Sipas vendimit, nuk ka dokumentacion që provon investimin e shumës së kredisë në lokalin në Qytetin Studenti, shitjen e të cilit e ka përdorur për të justifikuar pjesërisht shumën prej 207 mijë euro për ndërtimin e pallatit. Më tej është zbuluar se një pjesë e kredisë ishte investuar në një biznes tjetër. Hetimi i thelluar ka zbuluar një seri manovrash dhe veprimesh fiktive me qëllim justifikimin dhe mbulimin e krijimit të pasurive të palujtshme me para që nuk u dihet burimi./shqiptarja

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne