Vendimi i Metës për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, Basha: Rezultat i qendresës së popullit

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e ka nisur fjalimin e tij në protestën e sotme të opozitës së bashkuar joparlamentare, duke shpjeguar se arsyeja për të cilën ka vendosur të flasë përkundër zotimit të dhënë përkrahësve të tij në protestën e 2 qershorit, janë zhvillimet e bujshme të javës së fundit me publikimin e 6 përgjimeve të tabloidit gjerman “Bild”.

“Gjashtë net më parë u zotova para jush se nuk do kisha më fjalë dhe arsye për fjalë ndaj më lejoni të shpjegoj para jush dhe gjithë shqiptarëve arsyen pse po e marr fjalën sot. Arsyeja është sepse kjo javë e mbushur me zhvillime të jashtëzakonshme, në Shqipëri, në Gjermani, në Europë, të cilat janë të lidhura drejtpërdrejt me fatin e vendit tonë, me rrugën tonë drejt Europës, kanë marrë një kthesë, ndaj më lejoni ta nis duke ju falënderuar ju vëllezër dhe motra që jeni forca e pandalshme e ndryshimit që po vjen.”- tha Basha.

Më pas Basha u komunikoi protestuesve lajmin për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit nga Presidenti Ilir Meta, lajm që u prit me brohorima dhe duartrokitje të shumta. Kryedemokrati e komentoi vendimin e Metës si sukses të opozitës dhe të qendresës së popullit.

“Presidenti i Republikës ka marrë vendimin për anulimin e 30 qershorit, datës së planifikuar nga regjimi kriminal autokratik për të ekzekutuar krimin e shëmtuar elektoral, për të kapur përmes një procesi monist, antikushtetues, pushtetin vendor. Kjo është vetëm rezultat i forcës tuaj.

Ishte ky bashkim që diktoi anulimin e 30 qershorit, procesin kriminal, të juntës kriminale. Është forca e drejtësisë së kauzës tonë, ajo që dikton këto vendime. Le ta themi këtu të gjithë, le ta ndajmë me çdo shqiptar anë e mbanë vendit vendosmërinë tonë për ta çuar këtë betejë deri në fund, deri në fitore. Rama ik!”, u shpreh Basha në ligjëratën e tij./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne