Vendimi imoral, i padrejtë i Gjykatës Evropiane ndaj grave muslimane

ESRA KARATAŞ ALPAY

Rritja e ndjenjave anti-islamike dhe e ksenofobisë është bërë fatkeqësisht gjithnjë e më e përhapur në Evropë. Ngjarjet e fundit kanë provuar se intoleranca dhe racizmi janë bërë forma të pranuara të sjelljes ndaj pakicave – madje edhe në shfaqje të hapura publike.

Dy javë më parë, Gjykata Evropiane e Drejtësisë që ndodhet në Luksemburg iu adresua veshjes fetare. Legjislacioni i ri lejon vendet e punës që t’i ndalojnë punëtorët nga zbatimi i kërkesave të tyre fetare. Ky vendim bashkon të gjitha shtetet anëtare të BE-së në një legjislacion që i lejon kompanitë të ndalojnë hixhabin e grave muslimane sipas vullnetit të tyre. Prandaj, nuk ka politikë për të mbrojtur gratë muslimane nga praktikimi i lirisë së tyre fetare në vendin e punës.

Muslimanët nuk ndihen më të sigurt në Evropë. Të drejtat e tyre për lirinë fetare dhe për veshjen e formave të kërkuara modeste, veçanërisht të “hixhabit” për gratë, janë diskutuar haptazi në një mënyrë të tillë që të lejojnë diskriminimin e hapur në një nivel ligjor që është mbështetur tashmë nga ligji evropian.

Pas kësaj, grave muslimane që veshin hixhab mund t’u mohohet qasja në një punë që ato janë të afta për ta marrë me meritë dhe performancë. Para këtij vendimi ligjor të sapo sugjeruar, kompanitë nuk do të ishin në gjendje të pranonin hapur se ata po e refuzonin një kandidat bazuar në veshjen fetare apo në pamjen e tij. Kjo është e pamoralshme dhe e padrejtë. Mungesa e sjelljes së mirë dhe e formave themelore të mirësjelljes janë mohuar plotësisht. Pse? Vetëm për shkak se një grua muslimane dëshiron të veshë një hixhab për të shkuar në jetën e saj të përditshme në punë, tani papritmas kjo bëhet një çështje për GJED-në. Paradoksi në vetvete është kundër tërë dinjitetit njerëzor.

Para legjislacionit të ri, vlerat evropiane pretendonin të ofronin mundësi të barabarta për të gjithë qytetarët, pavarësisht nga feja dhe përkatësia etnike. Megjithatë, me legjislacionin dhe politikën e re, e cila është e hapur ndaj abuzimit, liria e besimit me anë të veshjes fetare nuk u mundëson grave muslimane me hixhab që të kenë të drejta demokratike.

Mjerisht, shumë gra muslimane që veshin hixhab janë bërë shënjestra dhe viktima të diskriminimit. Ato janë detyruar të përballen me ngacmime publike, abuzime verbale dhe dhunë fizike në shumë vende të ndryshme nëpër qytetet e Evropës. Disa video janë shfaqur në stacionet e lajmeve, duke treguar banditë të dhunshëm që abuzojnë fizikisht me gratë muslimane në hapësira publike me audienca që vetëm bëjnë sehir si shikues. “Normalizimi” i dhunës ndaj grave muslimane me hixhab ka bërë që shumë gra të frikësohen nga ushtrimi i lirisë së tyre fetare. Shumë gra muslimane kanë vendosur të mos e veshin hixhabin fare, në rast se ato bien viktimë e abuzimit që mund të vijë në çdo kohë dhe kudo. Gratë e tjera që zgjedhin të mbajnë veshjen e tyre fetare qëndrojnë në ambiente të mbyllura për sigurinë e tyre.

Ndalimi i hixhabit diskriminon dhe parandalon haptazi vlerat e barabarta të qytetarisë në mesin e të gjithë qytetarëve evropianë. Me fjalë të tjera, me zbatimin e kësaj politike, gratë muslimane praktikante të besimit janë ligjërisht të papranuara në vendin e punës në Evropë. Ky në vetvete është një kërcënim i hapur për integrimin dhe harmoninë e popullatës muslimane, e cila ka jetuar për dekada në komunitetet paqësore të bindura ndaj ligjit në Evropë. Komunitetet muslimane kontribuojnë në diversitetin kulturor dhe në zhvillimin ekonomik të fuqisë punëtore të vendeve në Evropë.

Vlerat universale demokratike dhe dinjiteti njerëzor mbeten në rrezik, nëse Evropa dhe GJED-ja nuk vendosin të mbrojnë dhe të përfshijnë të drejtat e të gjithë qytetarëve të tyre evropianë. GJED duhet të funksionojë vetëm me ligj, pa dallim përkatësie fetare dhe etnike. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne