Vendimi i Trumpit për ambasadën ka zhgënjyer Izraelin

Vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për pezullimin e transferimit në Jerusalem të Ambasadës Amerikane në Tel Aviv ka zhgënjyer Izraelin, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë të publikuar nga zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, thuhet “Izraeli është i zhgënjyer nga mostransferimi tani i ambasadës, por është i kënaqur nga miqësia e treguar nga presidenti Trump për Izraelin dhe për premtimin për transferimin e ambasadës në të ardhmen.”

Në deklaratën ku vihet theksi se të gjitha ambasadat duke përfshirë edhe ambasadën amerikane në vend të Tel Avivit duhet të ndodhen në Jerusalem, theksohet se “mbajtja e ambasadave jashtë kryeqytetit tonë (Jerusalemit) shtyn paqen, duke ndihmuar në mbajtjen gjallë të fantazisë palestineze në drejtimin se shteti dhe populli izraelit nuk kanë asnjë lidhje me Jerusalemin.”

Në një deklaratë me shkrim të publikuar nga Shtëpia e Bardhë ishte njoftuar se vendimi i Trumpit për zhvendosjen e ambasadës amerikane nga Tel Aviv-i në Jerusalem është shtyrë përkohësisht.

“Askush nuk duhet ta vërejë këtë hap si një hap i hedhur prapa nga mbështetja e fortë që presidenti (Trump) ka për Izraelin dhe aleancën e fortë SHBA-Izrael. Presidenti Trump ka marrë këtë vendim për rritjen e shansit të bisedimeve të paqes mes Izraelit dhe Palestinës si dhe për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-ve”, thuhej në deklaratë.

Trump gjatë fushatës zgjedhore presidenciale kishte premtuar shumë herë se do të transferonte ambasadën amerikane në Jerusalem, por pas ardhjes në detyrë më 20 janar ishte shprehur se vendimin lidhur me këtë çështje do ta merrte pasi ta mendonte gjerësisht dhe pasi situata të vendosej në përputhje me interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-ve.

Izraeli që prej vitit 1967 mban nën pushtim Jerusalemin Lindor. Edhe pse Qeveria e Izraelit pavarësisht se në vitin 1980 e shpalli kryeqytet të bashkuar pa bërë ndarjen lindje dhe perëndim, deri më tani asnjë vend nuk e ka njohur Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit.

Të gjithë vendet që kanë marrëdhënie diplomatike me Izraelin kanë hapur ambasadat e tyre në Tel Aviv duke e njohur atë si kryeqytet./ AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne