Venezuela mbyll ambasadën dhe konsullatat në ShBA

Presidenti i Venezuelës, Nikolas Maduro deklaroi se do t’i mbyllë ambasadat dhe konsullatat e vendit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe se ka tërhequr tërë personelin diplomatik.

Në fjalën e tij të mbajtur me rastin e ceremonisë së fillimit të vitit të ri gjyqësor 2019, Presidenti Maduro njoftoi se ka marrë vendim për mbylljen e ambasadës së Venezuelës në ShBA.

Maduro bëri të ditur se kanë ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me ShBA-të, ndërsa vijoi me këto fjalë: “Kemi marrë vendim për të mbyllur ambasadën dhe të gjitha konsullatat e vendit tonë në ShBA. Ne gjithashtu po e tërheqim tërë personelin diplomatik. Ata do të kthehen të shtunën”.

Mitingjet e organizuara të enjten nga opozita dhe përkrahësit e pushtetit në Venezuelë kanë çuar në zhvillime mjaftë të rëndësishme nga aspekti i vendit dhe rajonit.

Huan Guaido (Juan Guaido), Kryetari i Kuvendit Kombëtar, ku shumica e deputetëve janë nga radhët e opozitarëve, në fjalën e tij të mbajtur në miting, e kishte shpallur veten si President i Përkohshëm i vendit, i cili është njohur menjëherë nga vendet si Kanadaja, Kolumbia, Peruja, Ekuadori, Paraguai, Brazili, Kili, Panama, Argjentina, Kosta Rika dhe Guatemala me në krye ShBA-të.

Ndërkaq Maduro iu drejtua nga ballkoni i Pallatit Presidencial Miraflores në kryeqytetin Karakas mijëra përkrahësve të mbledhur, ku bëri të ditur se kanë ndërprerë të gjitha marrëdhëniet diplomatike me ShBA-në dhe se diplomatëve të këtij vendi iu dhanë afat 72 orë të largohen nga Venezuela.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne