Venezuela propozon Turqinë si ‘fuqi mbrojtëse’

Përfaqësuesi i Përhershëm i Venezuelës në Kombet e Bashkuara (OKB), Samuel Moncada, tha se kanë propozuar Turqinë si ‘fuqi mbrojtëse’ për të ruajtur ambasadën venezuelase në Uashington.

Në konferencën për mediat në selinë e OKB-së, Moncada bëri deklarata lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) për boshatisjen e Ambasadës së Venezuelës në Uashington.

Moncada deklaroi se lidhjet diplomatike midis ShBA-së dhe Venezuelës janë ndërprerë dhe ShBA-ja për ambasadën e saj në Karakas si ‘shtet mbrojtës’ ka zgjedhur Zvicrën, në përputhje me Konventën e Vjenës, e cila rregullon marrëdhëniet diplomatike mes vendeve.

“Kurse ne propozuam Turqinë si ‘fuqi mbrojtëse’, por ata na thanë që “Ne nuk ju njohim juve, njohim [liderin e opozitës Juan] Guaido”, sqaroi ambasadori venezuelas në OKB.

Administrata amerikane ka njoftuar fillimin e procesit ligjor për evakuimin e Ambasadës së Venezuelës në Uashington, ku protestuesit dhe aktivistët vazhdojnë të presin prej disa javësh.

Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) pretendon se prania në ambasadë e protestuesve që mbështesin Maduron është një veprim i jashtëligjshëm, duke e argumentuar këtë me qëndrimin e mëhershëm të Uashingtonit, i cili nuk e njeh Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro dhe si rrjedhojë ambasada i takon administratës së liderit të opozitës Juan Guaido, i cili e ka shpallur veten si presidenti i përkohshëm i Venezuelës.

DASH-i u ka bërë thirrje protestuesve që të dalin vullnetarisht nga ambasada, pasi diplomati Carlos Vecchio, i cili është emëruar nga Guaido si ambasador në Uashington, ka kërkuar boshatisjen e ambasadës.

Protestuesit e udhëhequr nga grupi aktivist i grave “CodePink”, që mbështesin Presidentin e Venezuelës, Nicolas Maduro, kanë rreth një muaj që qëndrojnë brenda ndërtesës së Ambasadës, kurse përkrahësit e Guaidos vazhdojnë të presin jashtë.

Protestuesit thonë se ata janë ftuar brenda në ambasadë nga punonjësit e qeverisë së Venezuelës dhe policia nuk ka të drejtë që ti nxjerrë ata jashtë me forcë.

Sipas Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike, nëse lidhjet diplomatike midis dy vendeve janë prishur, të dyja palët mund të zgjedhin një vend të tretë të pranueshëm për shtetin pritës si një ‘fuqi mbrojtëse’.

Venezuela është tronditur nga protestat që nga 10 janari kur presidenti Nikolas Maduro u betua për një mandat të dytë pas një votimi të bojkotuar nga opozita.

Tensionet u përshkallëzuan kur Juan Guaido, i cili kryeson Asamblenë Kombëtare të Venezuelës, e shpalli veten si president në detyrë më 23 janar, një veprim i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara dhe shumë vende të Evropës dhe Amerikës Latine.

Kurse Turqia, Rusia, Kina, Irani, Bolivia dhe Meksika përkrahin qeverinë legjitime të Maduros./TRT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne