Venezuelë – Guaido kërkon “bashkëpunim” me ushtrinë amerikane

Kryetari i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, Juan Guaido, i cili është vetëshpallur president i përkohshëm i vendit, i ka dhënë direktivë përfaqësuesit të tij që të zhvillojë bisedime për “bashkëpunim” me ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
12.05.2019 ~ 12.05.2019
Venezuelë – Guaido kërkon “bashkëpunim” me ushtrinë amerikane

Duke folur në një tubim protestues në kryeqytetin Karakas me rastin e arrestimit të zëvendëskryetarit të Asamblesë Kombëtare, Edgar Zambrano, për rolin në tentativën e pasuksesshme për grushtshteti më 30 prill, Guaido tha se ka urdhëruar përfaqësuesin e tij në SHBA, Carlos Vecchio, që të takohet me shefin e Komandës Jugore të Ushtrisë së SHBA-së, admiralin Craig Faller.

“Kërkova nga ambasadori Vecchio që të takohet sa më parë me admiralin Craig Faller, me qëllim që të vendosen raporte të drejtpërdrejta dhe të arrihet një marrëveshje”, tha Guaido duke mos dhënë detaje se çfarë ka nënkuptuar me “bashkëpunimin” dhe “raportet e drejtpërdrejta”.

Para një turme më të vogël sesa në tubimet e mëparshme, Guaido pohoi se në Venezuelë ka elemente të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN) nga Kolumbia, organizatë majtiste rebele e armatosur, si dhe elemente nga Kuba, duke shtuar se kjo prani nënkupton pushtim.

Më 9 maj, Komanda Jugore shpërndau në rrjetin social “Twitter” pritjet e admiralit Faller për një ftesë të Guaidos për të biseduar me mbështetësit e tij brenda ushtrisë venezuelase.

Kurse më 30 prill, kreu i opozitës në Venezuelë, Juan Guaido, publikoi ​​në “Twitter” një video, ku ai gjendej pranë një grupi ushtarësh, duke bërë thirrje për kryengritje për të përmbysur Presidentin Nicolas Maduro.

Nga ana tjetër, Maduro ka thënë se pjesëmarrësit në kryengritjen e pasuksesshme nuk do t’i shpëtojnë ndëshkimit dhe ka falënderuar ushtarët për besnikërinë e tyre.

Venezuela është tronditur nga protestat që nga data 10 janar, kur Maduro u betua për një mandat të dytë pas zgjedhjeve të bojkotuara nga opozita.

Tensionet u përshkallëzuan kur Guaido, kryetar i Asamblesë Kombëtare me shumicë opozitare, u vetëshpall president i përkohshëm më 23 janar, një veprim i cili u mbështet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shumë vende të Evropës e Amerikës Latine./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne