Venezuelë – Guaido pohon mbajtjen e negociatave me qeverinë Maduro në Norvegji

uan Guaido, i cili ka marrë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe shumë vendeve të Evropës e Amerikës Latine për të rrëzuar qeverinë në Venezuelë, shtet i përfshirë prej muajsh në një nga krizat politike më serioze të historisë së tij, pohoi të shtunën përmes një komunikate të shkruar se është ulur në tavolinën e bisedimeve, gjë që më herët e mohonte në mënyrë të përsëritur.

Pas thirrjeve të shumta për grusht ushtarak dhe një tentative puçiste të pasuksesshme kundër Maduros, i rizgjedhur vitin e kaluar në krye të shtetit me 68 për qind të votave, Guaido pretendoi se edhe negociatat po realizohen për të njëjtin qëllim.

Ai bëri me dije se emrat kryesorë të delegacionit negociues janë nënkryetari i Asamblesë Kombëtare, Stalin Gonzales, ish-deputetët Fernando Martinez Mottola dhe Gerardo Blyde, si dhe Vicente Diaz si këshilltar teknik.

Këta emra u përmendën edhe rreth 2 javë më parë në një lajm të shtypit venezuelas mbi negociatat, por asokohe u përgënjeshtruan nga Guaido.

Siç thuhet në deklaratën e publikuar nga lideri opozitar venezuelas, dy delegacionet janë takuar në shenjë respekti për autoritetet norvegjeze, të cilat bënë përpjekje të mëdha për realizimin e një takimi të tillë.

Guaido shtoi se i vetmi qëllim i opozitës është të përmbysë – siç e quajti ai – “regjimin” e Presidentit të Venezuelës, Maduro.

Nga ana tjetër, autoritetet norvegjeze njoftuan se një takim i ri i delegacioneve të qeverisë dhe opozitës së Venezuelës do të mbahet së shpejti në Oslo.

Venezuela po përballet që nga 10 janari i këtij viti me protesta, të cilat nisën kur Presidenti Nicolas Maduro u betua për një mandat të dytë pasi fitoi zgjedhjet e bojkotuara nga opozita.

Tensionet u përshkallëzuan më tej më 23 janar, kur Guaido u vetëshpall president i përkohshëm i Venezuelës, një veprim që u mbështet fillimisht nga SHBA-ja dhe më pas nga shumë vende evropiane e amerikanojugore.

Kurse Turqia, Meksika, Rusia, Irani, Kuba, Kina dhe Bolivia konfirmuan mbështetjen e tyre për Presidentin Maduro./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne