Bota

Venezuelë – Rodriguez: Opozita planifikon atentate dhe sulme terroriste në vend

Kriza e thellë politike në Venezuelë është përshkallëzuar më tej të enjten e 21 marsit pas arrestimit të Robert Marreros, shefi i kabinetit të Guaidos, i akuzuar për “prishje të rendit kushtetues, nxitje të terrorizmit e dhunës, si dhe planifikim të atentatit ndaj Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro”.

Me miratimin e Prokurorisë, Rodriguez ka bërë publike gjatë një konference për media një pjesë të mesazheve dhe përmbajtjes së telefonin celular të Morerros, të cilat thuhet se konfirmojnë pretendimet e aktakuzës.

Rodriguezi deklaroi se opozita ka angazhuar forca paramilitare nga Amerika Latine dhe u ka dhënë atyre një listë të njerëzve të rëndësishëm, të cilët duhet të jenë në shënjestër të atentateve.

“Aktualisht, në Venezuelë kemi paraushtarakë dhe kriminelë që janë trajnuar në Kolumbi. Ushtria venezuelase është në kërkim të tyre. Këta paramilitarë kanë planifikuar të kryejnë sulme ndaj teleferikut dhe metrosë në Karakas”, tha Rodriguezi.

Ai potencoi gjithashtu se ushtria ka kapur tashmë Wilfred Torres Gomez, me emrin e koduar “Neco”, i cili është kreu i grupit famëkeq paramilitar kolumbian, “Rastrojos”.

Duke argumentuar se Gomezi “është një prej personave të armatosur që opozita ekstremiste e djathtë ka futur në vend”, ndihmëspresidenti Rodriguez njoftoi se personi në fjalë kërkohet me “buletin blu” nga Interpol-i për vrasje dhe krime të tjera.

Roberto Marrero u arrestua mëngjesin e 21 marsit gjatë një operacioni të Shërbimit Informativ Kombëtar Bolivarian (SEBIN), ndërkohë që në banesën e tij u gjendën dy armë të gjata dhe një sasi e konsiderueshme valute të huaj.

Një ditë më vonë, administrata amerikane, e cila kërkon lirimin e Marreros, vendosi sanksione ndaj Bankës së Zhvillimit Ekonomik dhe Sociale të Venezuelës (BANDES) dhe 4 filialeve të saj./ TRT

OPINIONE