Veprimi i fundit i fushatës dezinformuese izraelite për programin bërthamor të Iranit

nga Gareth Porter.

Pretendimi i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në shfaqen e tij teatrale 20-minutëshe për një sekuestrim të “arkivit atomik” të Iranit në Teheran nga Izraeli do të ishte me siguri “arritja me e madhe e inteligjencës”, megjithëse ai u mburr sikur ngjarja të kishte ndodhur vërtet. Por pretendimi nuk ështe shqyrtuar me kujdes dhe pohimi i tij se Izraeli tani posedon një material të zgjeruar të një programi të fshehtë të armëve bërthamore iraniane është padyshim mashtrim.

Netanyahu me përrallën e tij mbi një bastisje të inteligjencës izraelite në Teheran, ku u transportuan 55,000 dosje dhe 55,000 disqe nga një “vend tepër sekret”, kërkon që ne ta pranojmë këtë absurditet. Të pranojme se politikëbërësit iranianë vendosën që ti ruanin sekretet ushtarake të tyre më të ndjeshme në një kasolle të vogël, me asgjë për ta ruajtur nga nxehtësia (të paktën për të siguruar humbjen e të dhënave të CD-ve brenda pak viteve) dhe pa asnjë shenjë sigurie. Ashtu siç vuri në dukje edhe Steve Simon i The New York Times, madje edhe dera dukej se nuk kishte pasur dry.

Shpjegimi për të qeshur i zyrtarëve izraelitë për The Daily Telegraph, se qeveria iraniane kishte frikë se mos dosjet mund të gjendeshin nga inspektorët ndërkombëtarë nëpër baza, thjesht zbuloi përbuzjen e plotë që Netanjahu ka për qeveritë perëndimore dhe mediat e huaja. Edhe në qoftë se Irani po zhvillon fshehurazi armë bërthamore, dosjet e lidhura me këtë temë do të ruheshin në Ministrinë e Mbrojtjes dhe jo nëpër baza ushtarake. Sigurishtt që lëvizja erdhi pasi Netanjahu kishte nevojë për një histori të re dramatike me qëllim nxitjen e Trumpit për t’i rezistuar insistimit të fortë të aleatëve evropianë në ruajtjen e marrëveshjes bërthamore të përbashkët të planit të veprimit (JCPOA) me Iranin.

Në fakt, nuk ka asnjë thesar masiv dosjesh të fshehta të një “Projekti Manhattan” të Iranit. Raftet e dosjeve dhe CD-ve që Netanjahu zbuloi datojnë që në vitin 2003 për të cilin Vlerësimi Kombëtar i Inteligjencës Amerikane (NIE) tha se Irani kishte braktisur çdo program të armëve bërthamore.

Fushatë dezinformuese

Pretendimi i Netanjahut për mënyrën se si Izraeli e ka fituar këtë “arkiv atomik” është vetëm manifestimi më i fundit i një fushate dezinformuese afatgjatë që qeveria izraelite filloi ta punojë që në vitet 2002-2003. Dokumentet të cilave iu referua Netanyahu u prezantuan në mediat e lajmeve dhe në Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) që në vitin 2005, që e kishin pasur origjinën nga një program i fshehtë iranian i kërkimit të armëve bërthamore. Për shumë vite mediat amerikane i kanë pranuar këto dokumente si autentike. Megjithëse mediat ishin të bashkuar para këtij tregimi, tani jemi të sigurt se dokumentet e mëparshme ishin trillime dhe se ato u krijuan nga Mossadi i Izraelit.

Keto dëshmi mashtrimesh filluan me origjinën e supozuar të të gjithë koleksionit të dokumenteve. Zyrtarë të lartë të inteligjencës në administratën Bush u kishin thënë gazetarëve se dokumentet erdhën nga “një kompjuter laptop i vjedhur iranian”, siç raportoi The New York Times në nëntor 2005. Times citoi zyrtarë të panjohur të inteligjencës që insistuan se dokumentet nuk kishin ardhur nga një grup i rezistencës iraniane, gjë që do të shkaktonte dyshime serioze mbi besueshmërinë e tyre. U kuptua se pretendimet e atyre zyrtarëve të inteligjencës ishin pjesë e një shtirjeje zyrtare. Raporti i parë i besueshëm i rrugës së dokumenteve erdhi vetëm në vitin 2013, kur ish-zyrtari i lartë gjerman Karsten Voigt, i cili u tërhoq nga pozita e tij e vjetër si koordinator i bashkëpunimit të Gjermanisë me Aleancën e Antlantikut, foli hapur duke u regjistruar.

Voigt rikujton se zyrtarët e lartë të agjencisë së zbulimit gjerman, Bundesnachtrendeinst ose BND, i kishin shpjeguar atij në nëntor të vitit 2004 se ata ishin të njohur me dokumentet mbi programin e supozuar të armëve bërthamore të Iranit, sepse një burim i dikurshëm, jo agjent i zbulimit aktual, i kishte ofruar ato më herët atë vit. Për më tepër, zyrtarët e BND-së shpjeguan se ata e kishin parë burimin si “të dyshimtë”, kujton ai, sepse burimi u përkiste organizates Muxhahidin El Khalq, grupi iranian opozitar i armatosur që kishte luftuar Iranin në emër të Irakut gjatë luftës tetëvjeçare.

Zyrtarët e BND-së u shqetësuan se administrata Bush kishte filluar ti citonte këto dokumente si dëshmi kundër Iranit, për shkak të përvojës së tyre me “Curveball-in”, inxhinierin irakian në Gjermani, i cili kishte genjyer mbi tregimet me laboratorë të biokarburanteve irakiane. Si rezultat i atij takimi me zyrtarët e BND-së, Voigt i kishte dhënë një intervistë TheWall Street Journal në të cilën ai kishte kundërshtuar sigurinë e zyrtarëve të panjohur amerikanë të inteligjencës në Times dhe paralajmëroi se administrata Bush nuk duhet ta bazonte politikën e saj mbi dokumente që po i citonte si dëshmi të një programi iranian për armët bërthamore, sepse ato në të vërtetë kishin ardhur nga “një grup disident iranian”.

Përdorimi i MEK

Që administrata Bush dëshironte që mbulimin mediatik për dokumentet e supozuara iraniane ta orientonte sa më larg nga MEK ishte mëse e kuptueshme. E vërteta rreth rolit të MEK-ut të çonte drejtpërsëdrejti tek Izraeli, sepse dihej se agjencia e inteligjencës izraelite Mossad e kishte përdorur MEK-un për të dhënë informacione në publik, të cilat izraelitët nuk donin t’ia atribuonin vetes, përfshirë edhe vendndodhjen e saktë të objektit të pasurimit të uraniumit në Natanz të Iranit. Gazetarët izraelitë Yossi Melman dhe Meir Javadanfar treguan me anë të librit të tyre të vitit 2007 për programin bërthamor të Iranit, punim i bazuar tek zyrtarët amerikanë, britanikë dhe izraelitë, se informacioni fillimisht filtrohej nëpërmjet grupeve opozitare iraniane para se të binte në dorë të IAEA-s (Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike), veçanërisht nga Këshilli Kombëtar i Rezistencës së Iranit. ”
r
Mossad e përdori MEK-un shpesh në vitet 90, sidomos në fillim të viteve 2000, me qëllim që të shtyhej IAEA për të inspektuar çdo vend që izraelitët dyshonin se mund të ishte i lidhur me armët bërthamore. Askush që i njihte mirë të dhënat e ofruara nga MEK nuk do të kishte besuar se MEK ishte i aftë të krijonte dokumente të hollësishme që me pas t’ia kalonte qeverisë gjermane. Për ato kërkohej një organizatë me ekspertë të armëve bërthamore dhe ekspertë me përvojë në fabrikimin e dokumenteve, të cilët Mossadi i Izraelit i kishte me shumicë.

Zyrtarët e administratës Bush kishin zbardhur 18 skica që flisnin mbi raketat Shahab-3 si dhe për disa forma të rrumbullakëta që tregonin një armë bërthamore. Këto skica u prezantuan tek qeveritë e huaja dhe tek Agjencia Ndërkombëtare të Energjisë Atomike si 18 përpjekje të ndryshme për të integruar një armë bërthamore brenda në raketat Shahab-3.

Netanjahu i tregoi publikut me të shpejtë një prej atyre skicave të hënën, ku ai me mburrje tregoi se ishte prova e qartë e pabesisë iraniane për armët bërthamore. Por skica e paraqitur ishte e mangët, gjë që tregoi se nuk ishte e vërtetë. Ajo tregoi formën e nje kaushi të majes së raketës origjinale Shahab-3 që ishte testuar në vitet 1998-2000. Kjo ishte ajo që analistët e inteligjencës jashtë Iranit kishin gjetur edhe në vitet 2002 dhe 2003, që thjesht tregonte manualin e përdorimit të raketës balistike.

Maja e raketës

Megjithatë, tani është vërtetuar se Irani kishte filluar ridizajnimin e raketës Shahab-3 me një formë të re konike ose majë të re raketore që në fillim të viteve 2000 por që e zëvendësoi atë me një dizajn krejtësisht të ndryshëm në formë trikonike të ngjashme me një shishe beberoni. Ajo e bëri atë një raketë me aftësi shumë të ndryshme në fluturim dhe më në fund u quajt Ghadr-1. Michael Elleman, eksperti lider në botë për raketat balistike iraniane, e dokumentoi ridizajnimin e raketave në studimin e tij të vitit 2010.

Irani e mbajti raketën e tij të sapo projektuar sekret nga bota e jashtme deri në provën e parë në mesin e vitit 2004. Elleman arriti në përfundimin se Irani qëllimisht po e çorientonte pjesën tjetër të botës dhe veçanërisht izraelitët, të cilët ishin kërcënimi kryesor ndaj Iranit. Irani donte të besonin se modeli i vjetër ishte raketa e së ardhmes, ndërkohë që po e zhvendoste planifikimin tek dizajni i ri raketor, i cili do ta arrinte Izraelin për herë të parë.

Autorët e skicave që Netanjahu shfaqi në ekran ishin të pa informuar rreth ndryshimit në dizajnin e raketave iraniane. Dokumentet më të hershëm mbi ridizajnimin e marrë nga inteligjenca amerikane ishin të 28 gushtit 2002, rreth dy vjet para se të fillonte ridizajnimi aktual. Ky gabim i madh i cili tregon skicat e një arme bërthamore të përshtatur në raketën Shahab-3, të cilën Netanjahu e quajti “dizajn i integruar i kokës berthamore” ishte një trillim.

Shfaqja e shpejtë e Netanjahut theksoi një sërë zbulimesh të supozuara që ai tha se erdhën nga “arkivi atomik” i gjetur rishtazi lidhur me të ashtuquajturin “Plani Amad”. Faqet e vetme të dokumenteve në gjuhën perse që ai shfaqi në ekran ishin gjithashtu nga të njëjtat kopje dokumentesh që ne tani e dimë që erdhën nga kombinimi MEK-Izrael. Këto dokumente nuk u vërtetuan kurrë dhe drejtori i përgjithshëm i IAEA-s Mohamed ElBaradei, i cili ishte skeptik për origjinalitetin e tyre, kishte këmbëngulur se pa i vërtetuar, ai nuk mund të akuzonte Iranin se kishte një program të armëve bërthamore.

Më shumë mashtrim

Ka gjithashtu edhe tregues të tjerë të mashtrimit në atë përmbledhje dokumentesh. Një element i dytë i programit të supozuar të armëve me emrin “Plani i Amadit”, ishte një “tabelë e rrjedhës së procesit” të një sistemi konvertues në pasurimin e uraniumit. Ai kishte emrin e koduar “Projekti 5.13”, sipas një njoftimi nga Zëvendës Drejtori i IAEA-s Olli Heinonen dhe ishte pjesë e një projekti të ashtuquajtur “Projekti 5”, sipas një raporti zyrtar të IAEA-s. Një tjetër nënprojekt nën këtë rubrikë ishte “Projekti 5.15”, i cili përfshinte përpunimin e mineraleve në minierën Gchine. “Të dy nënprojektet thuhet se do zbatoheshin nga një firmë me emrin Kimia Maadan. Por dokumentet që Irani më vonë i ofroi IAEA-së dëshmuan se “Projekti 5.15” kishte ekzistuar vërtet, por kishte qenë një projekt civil i Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, jo pjesë e një programi të fshehtë të armëve bërthamore dhe se vendimi ishte e marrë që në gusht 1999, dy vjet para fillimit të planit të dyshuar “Amad”.

Roli i Kimia Maadan në të dy nënprojektet shpjegon pse një projekt përpunimi i mineraleve do të përfshihej në programin e dyshuar të armëve bërthamore. Një nga dokumentet shumë të pakta të përfshira në vendin i fshehtë që mund të vërtetohej si autentike ishte një letër nga Kimia Maadan për një subjekt tjetër. Netanyahu gjithashtu pohoi se dosjet tregonin se Irani kishte bërë punë të vazhdueshme. Ai nuk dha hollësira. Por Izraeli zbuloi prova të dyshimta për eksperimente të kryera brenda një barake në Teheran. Çështja nëse Irani kishte bërë eksperimente të tilla ishte një çështje qendrore në hetimin e IAEA-s pas vitit 2008. Agjencia e përshkroi atë në një raport të shtatorit 2008.

Asnjë vulë Zyrtare

IAEA refuzoi të zbulojë se cili kishte qenë shteti që i kishte dhënë dokumentin, megjithese ish-drejtori i përgjithshëm Elbaradei zbuloi në kujtimet e tij se Izraeli i kishte dhënë një sëri dokumentesh Agjencisë për të treguar që Irani i kishte vazhduar eksperimentet e armëve bërthamore deri në vitin 2007. Elbaradei po i referohej kohës së përshtatshme gjatë se cilës doli raporti i NIE-s (Vlerësimi Kombëtar i Inteligjencës Amerikane) në nëntorin 2007, që nxorri përfundimin se Irani i kishte përfunduar kërkimet lidhur me armët bërthamore në vitin 2003.

Netanjahu tregoi në ekran një seri dokumentesh, si dhe një numër skicash, fotografish dhe figurash teknike, madje edhe një film bardh e zi, si dëshmi për punën e Iranit me armët bërthamore. Megjithatë asgjë rreth tyre nuk siguroi një lidhje me qeverinë iraniane. Tariq Rauf, i cili kishte qenë kreu i Zyrës për Bashkërendimin e Politikave të Verifikimit dhe Sigurisë të IAEA-së nga viti 2002 deri në vitin 2012, vuri në dukje në një e-mail se asnjë nga dokumentet e publikuara në ekran nuk shfaqte vula zyrtare ose shenja që i identifikonin si dokumente që i përkisnin qeverisë aktuale iraniane. Dokumentet e supozuara iraniane që i janë dhënë IAEA-s në vitin 2005 në mënyrë të ngjashme nuk kishin të tilla shenja zyrtare, sikurse një zyrtar IAEA-s pranoi në vitin 2008.

Shfaqja e Netanyahut tregoi më tepër sesa thjesht përpjekja e tij për të bindur të tjetrët mbi situatën e Iranit. Ai siguroi dëshmi të mëtejshme se pretendimet që kishin ndikuar me sukses tek aleatët e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për tu bashkuar në dënimin kundër Iranit për programin bërthamor, ishin bazuar në dokumente të fabrikuara që e kishin origjinën nga shteti që kishte motivin më të fortë për ta bërë atë, Izraeli./antiwar/Gazeta Impakt

Gareth Porter është një historian hulumtues dhe gazetar i specializuar në politikën e sigurisë kombëtare të SHBA-së. Ai fitoi çmimin Gellhorn për gazetari në vitin 2011 për artikujt nga lufta e SHBA-së në Afganistan.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne