Vetëm shtrëngim duarsh… apo një koalicion?! Rama e thotë për herë të parë

Kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama nuk e përjashton një koalicion të mundshëm mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, dy forcave politike të konsideruara historikisht kundërshtare.

I ftuar në “Opinion”, kryeministri u pyet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga gazetari Blendi Fevziu, nëse PS-ja do të bënte koalicion me LSI-në për të formuar qeverinë pas zgjedhjeve të 25 qershorit. Por ndërsa përgjigjja e tij ishte e drejtpërdrejtë për të thënë JO, ajo nuk ishte aspak e tillë kur u pyet për një koalicion të mundshëm me PD-në, e drejtuar nga Lulzim Bashën.

Rama: Me LSI-në unë e përjashtoj.

Fevziu: Po me Bashën a do të bënit koalicion zoti Rama?

Rama: Çdo skenar për mua është i hapur në varësi të vendimmarrjes së popullit.

Sa i përket përplasjeve me LSI, Rama sqaroi se nuk ka asnjë konflikt por kërkon që të rrëzojë sistemin aktual të administratës.

“Unë nuk kam hapur asnjë konflikt me LSI. Thjesht kam hapur një temë që është themelore në rrugën e shtetbërjes. Tema është që në këto vite në Shqipëri është zhvilluar një sistem kanceroz brenda administratës së shtetit dhe partitë e vogla ose gjysëm të vogla jetojnë në këtë sistem, ndërsa partitë e mëdha janë infektuar nga kjo. Këtë sistem nuk e rrëzon dot asnjë Kryeministër”, tha Edi Rama.

Kujtojmë se kryeministri dhe lideri demokrat arritën marrëveshje politike mes njëri-tjetrit, pakt i konsideruar jo transparent për shumicën e forcave politike. Marrëveshja jo publike është konsideruar edhe nga LSI si një ‘shtrëngim duarsh’ që cënon zgjedhjet e lira.

Gjatë fushatës elektorale, Rama dhe Basha kanë lëshuar akuza dhe kundërakuza ndaj njëri-tjetrit, por kanë bërë mjaft përshtypje edhe batutat që kanë lëshuar në distancë me njëri-tjetrin, duke përfunduar deri ato të tipit “cuni mirë, çun i keq, Romeo e Zhuljeta, etj”…

Se sa do të mund të realizohej ky koalicion, dhe sa i natyrshëm do të ishte ai…kjo mbetet t’i lihet “post 25 qershorit”.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne