Rajoni

Vetëvendosja fton LDK-në për protesta kundër Thaçit

Lëvizja Vetëvendosje mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme të Kryesisë këtë të enjte, për të shqyrtuar – siç njoftohet, – gjendjen politike në Kosovë, krizën institucionale dhe “lojën e rrezikshme të presidentit Hashim Thaçi”, siç e cilësojnë, duke ftuar më tej Lidhjen Demokratike të Kosovës në protesta të përbashkëta kundër presidentit.

Nga njoftimi i VV-së për mediet mësohet se LDK-ja është ftuar për të filluar përgatitjet për organizimin e protestave. Për kontaktet dhe takimet me udhëheqjen e LDK-së, nga VV-ja janë ngarkuar kryetari Albin Kurti, nënkryetari Besnik Bislimi, nënkryetarja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku dhe kreu i grupit parlamentar, Glauk Konjufca.

Vetëvendosje thekson se është e nevojshme që brenda të premtes të përcaktohet data e protestës.

“Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pa mandat nga Kuvendi po vrapon në negociata pa parime me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Ne nuk mund të lejojmë pazare me sovranitetin, territorin dhe kufijtë e Kosovës. Aventura personale e presidentit të Kosovës është e papranueshme. Ai po mashtron si qytetarët e Kosovës, ashtu dhe ata të Kosovës Lindore. Prandaj, ai duhet të largohet”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas kësaj lëvizjeje, qeveria e pakicës po bojkoton Kuvendin e Republikës dhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj duhet të dorëhiqet.

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare. Kërkojmë zgjedhje të lira, demokratike dhe të ndershme. Nevojitet legjitimitet i ri i një qeverie të re. Institucionet e Kosovës nuk po funksionojnë. Kuvendi është bllokuar. Presidenti i Serbisë do të vijë në Kosovë këtë fundjavë, por qeveria dhe Policia e Kosovës nuk do ta arrestojë atë. ‘Zajednica’ Thaçi-Vuçiç është evidente. Presidenti i Serbisë nuk duhet lejuar të hyjë në Kosovë”, thekson Lëvizja Vetëvendosje.

Burimi:Top Channel

OPINIONE