Vetëvendosja siguron kryeministrin, vazhdojnë bisedime për kryetarin e Kuvendit dhe presidentin

Partitë që po synojnë formimin e koalicionit të ardhshëm qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, janë pajtuar për njërin post, atë të kryeministrit, i cili i është besuar partisë fituese të zgjedhjeve (LVV) dhe kandidatit të saj, Albin Kurti.

Për dy pozitat tjera, atë të kryetarit të Kuvendit dhe të presidentit të Kosovës, Vetëvendosje dhe LDK pritet të diskutohet në nivelin e takimeve të liderëve të të dy partive.

Postin e Presidentit, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha se nuk ka shprehur personalisht dëshirën për këtë post, por u shpreh në favor të marrëveshjes edhe për pozitën e shefit të shtetit.

Pavarësisht faktit se presidenti aktual, Hashim Thaçi, ka mandat kushtetues deri në vitin 2021, Vetëvendosje dhe LDK-ja paralajmërojnë edhe mundësinë që qysh tani të arrihet marrëveshja edhe për presidentin që do të zgjidhej më 2021.

Gjatë takimeve në nivelin e grupeve punuese, Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike, sipas përfaqësuesve të tyre, janë dakorduar rreth programit qeverisës.

Gjatë negociatave, një energji të konsiderueshme Vetëvendosja dhe LDK-ja e kanë shpenzuar edhe në reduktimin e numrit të ministrive.

Qeveria në largim e kryeministrit në detyrë, Ramush Haradinaj, ka 21 ministri, por koalicioni i ardhshëm po pretendon të reduktojë numrin në 12 ministri, prej të cilave 10 do t’u takonin Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, dhe dy subjekteve nga komunitetet joshumicë, përkatësisht një për komunitetin serb dhe një për komunitetet joserbe.

Ndarja e ministrive, të cilat do të udhëhiqen nga Vetëvendosje dhe LDK-ja, pritet që të kalojë në vlerësimet e organeve vendimmarrëse brenda dy partive.

Nënkryetari i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, thotë se strategjia e të dy partive ka qenë që të arrihet pajtueshmëri sa më e madhe, nisur nga pikat e përbashkëta, për të arritur deri te zgjidhjet pak më të vështira.

“Janë bisedime serioze, ashtu siç e ka vendosur qytetari i Kosovës me votën e vet për ndryshimet e nevojshme në Kosovë”, theksoi Konjufca.

Në takimin e fundit ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së, Avdullah Hoti nga LDK-ja deklaroi se pajtimi rreth pikave programore është arritur, kurse organeve të partisë dhe liderëve tani u mbetet të vendosin për çështjet tjera.

“Për aq sa ne kemi qenë të mandatuar, jemi dakorduar për strukturën e Qeverisë dhe formën se si do të strukturohen institucionet. Tash u përket liderëve politikë të vendosin për formimin e Qeverisë”, ka thënë Hoti./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne