Vetting-u në Polici/ Kush nuk kalon “filtrin”, përjashtohet përgjithmonë

Ka nisur prej pak ditësh vetting-u në radhët e uniformave blu me shqyrtimin e 45 dosjeve të drejtuesve më të lartë, siç janë: Ardi Veliu, drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit; Aida Hajna, nëndrejtore e Policisë së Shtetit; Gjovalin Loka, drejtor i Departamentit për Sigurinë Publike në Policinë e Shtetit; Tonin Vocaj, drejtor i Policisë Kriminale; Muhamet Rrumbullaku, në krye të Shërbimet për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat etj.

 

Gjatë këtij procesi pritet të kalojë në filtër rreth 13 mijë punonjës policie. Zv. Ministri i brendshëm, Julian Hodaj, ka bërë me dije se janë 245 dosje në total të drejtuesve të lartë, që do të trajtohen nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit. “Procesi ka vijuar me fazën e parë që janë rreth 245 punonjës të funksioneve dhe gradave më të larta. Janë kërkuar dhe shkëmbyer informacione më të gjitha institucionet. Kini parasysh që bëhet fjalë për një volum të lartë informacioni. Do ishim shumë të lumtur nëse në fund të korrikut do të kishim edhe caktimin e seancave të para dëgjimore”, u shpreh Hodaj në një dalje publike.

 

Kriteret mbi të cilat do të bëhet kontrolli i punonjësve të rendit janë: njerëzve të rendit: deklarimi i pasurisë, pastërtia e figurës dhe aftësitë profesionale. “Ata që kalojnë të tre kriteret qëndrojnë në detyrë, ata që nuk kalojnë largohen nga detyra, me përjashtim të rasteve kur vihet re tek punonjësi, ndonjë mangësi profesionale, e cila mund të kompensohet shumë mirë nëpërmjet një procesi riformimi dhe rispecializimi në Akademinë e Sigurisë”, tha Hodaj.

 

Ndërsa, për vendet vakante nga punonjësit e policisë në rast të spastrimit prej vetting-ut, Hodaj sqaroi se “ligji parashikon edhe mundësinë e ish-punonjësve që mund të aplikojnë dhe t’i nënshtrohen rivlerësimit dhe për t’u rifutur në Policinë e Shtetit dhe tjetra është Akademia e Sigurisë nëpërmjet rekrutimeve të reja.”

 

Ndërkohë, ende nuk ka një datë konkrete të përfundimit të këtij procesi. Ata punonjës që do të shkarkohen, nuk do të rikthehen më në radhët e Policisëm, ndryshe nga ç’parashikon vetting-u në drejtësi, që ofron një limit kohor që gjyqtarët apo prokurorët mund të riaplikojnë përsëri./tpz

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne