Vettingu i politikës kthen opozitën në Kuvend. Ja 4 koordinatorët

TIRANË- Vettingu i politikanëve kthen opozitën në Kuvend. Burime nga PD bëjnë të ditur se grupet e punës që po punojnë për përgatitjen e platformës për çlirimin e qeverisjes nga krimi do të mblidhen të martën në Kryesinë e Kuvendit.

Kjo është hera e parë që Partia Demokatike dhe aleatët e saj shkojnë në Kuvend pas nisjes së sesionit të ri parlamentar. Burime nga PD bëjnë të ditur se vendimi për të punuar për platformën e opozitës në kryesinë e kuvendit ëshë një zgjedhje simbolike për të treguar vendosmërinë e opozitës për t’i shkuar deri në fund prioritetit kryesor të saj – çlirimit të qeverisë nga krimi.

Koordinatorët e 4 grupeve të punës së opozitës.
1 – Ervin Salianji, kordinator për “Dekriminalizimin e plotë përmes vettingut të politikanëve të lidhur me krimin.”
2 – Enkelejd Alibeaj, kordinator për “Çlirimin e drejtësisë nga kapja politike në funksion të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin”
3 – Luan Rama, kordinator për “Zgjedhjet e lira, të ndershme e demokratike, ku qytetarët të jenë ata që vendosin”
4 – Jorida Tabaku, kordinator për “Një ekonomi e çliruar nga monopolet, nga oligarkët dhe nga korrupsioni qeveritar, në funksion të mirëqenies së qytetarëve”.

Më herët gjatë mbledhjes së grupit parlamentar, Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e përqendroi vëmendjen tek nisma e opozitës për pastrimin e politikës nga deputetët, qeveritarët, zyrtarët e lartë dhe politikanët e tjerë të korruptuar dhe të lidhur me krimin e organizuar.

“Shumica dërrmuese e qytetarëve duan që vettingu në politikë të ndodhë. Shqiptarët kërkojnë që të mos ketë kriminelë dhe politikanë të lidhur me krimin në Kuvend dhe qeveri”, u shpreh Kryetari i PD, të cilit i kanë mbërritur me mijëra mesazhe nga njerëzit që mbështesin nismën për ta çuar deri në fund këtë proces.

“Kemi mbështetjen e shoqërisë. Shqiptarët kërkojnë ndarjen përfundimtare të politikës nga krimi.”-u shpreh Kryetari i Partis Demokratike Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar.

Burimi: BalkanWeb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne