Vettingu, pasuria fundosi gjyqtaren Dhurata Haveri në KPK

Nga Besar Likmeta/ BIRN

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi me 29 shtator shkarkimin nga detyra të Gjyqtares së Apelit për Krime të Rënda, Dhurata Haveri.

Subjekti është hetuar për vetëm një nga kriteret e procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve nga trupa gjykuese e KPK-së e përbërë nga Olsi Komici si kryesues, Suela Zhegu relatore dhe Xhensila Pine anëtare.

Edhe pse tre institucionet ndihmesë të vetingut – përfshirë Inspektoriatin e Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor kanë lëshuar raporte pozitive për gjyqtaren Haveri, hetimi i KPK-së për kriterin pasurisë ka çuar dhe në shkarkimin e gjyqtares.

Dhurata Haveri e ka filluar karrierën si gjyqtare në vitin 1991 në Gjykatën e Shkodrës. Ajo është emëruar gjyqtare e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda në vitin 2004 dhe prej 15 vitesh ushtroi detyrën në të njëjtin institucion. Haveri ka qenë kandidate për Gjykatën e Lartë si dhe anëtare e Kolegjit Zgjedhor në vitin 2011. Ajo është gjithashtu eksperte në Shkollën e Magjistraturës.

Sipas raportit të ILDKPKI subjekti ka bërë deklarim të saktë dhe në përputhje me ligjin, ka burime financiare të ligjshme, nuk ka kryer fshehje pasurie, nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nuk është në kushtet e konfliktit të interesit.

Hetimi i subjektit nga Komisioni është përqendruar në disa pasuri, përfshirë një apartament me vlerë 69.309 euro në Tiranë, një apartament 75.6 m2 – i shitur për 2 milion lekë për të blerë apartamentin në Tiranë, apartament banimi 115 m2 i blerë në vitin 2011 në Shkodër, një apartament me sipërfaqe 95 + 14.3 m2 i blerë në vitin 2015 në ish-komunën Farkë.

Për pasuritë e mësipërme KPK ka hetuar burimet me të cilat janë ngritur këto asete, përfshirë të ardhurat e subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortit, huatë e marra nga persona të lidhur dhe mundësia e tyre për të mbështetur në burime të ligjshme huatë e dhëna.

Për apartamentin 135.9 m2 të blerë në Tiranë me vlerë 69,309 euro në vitin 2004, subjekti ka deklaruar në deklaratën periodike dhe atë veting si burime: një kredi 2.17 milionë lekë nga BKT, të ardhura nga shtija e apartamentit në Shkodër me vlerë 2.6 milionë lekë, huamarrje nga familjarë emigrante dhe kursime nga paga me vlerë 15 mijë euro.

Hetimi administrativ i KPK-së ka zbuar se apartamenti në Shkodër është shitur për 2 milionë lekë dhe jo 2.6 milionë lekë siç pretendon subjekti, si dhe nuk është e provuar që bashkëpronarët e tjerë kanë hequr dorë nga pjesa takuese. Gjithashtu, nga verifikimi i akteve rezulton se të ardhurat nga shitja e apartamentit në Shkodër nuk mund të jenë përdorur si burim për blerjen e apartamentit në Tiranë, pasi pagesa e këstit të fundit prej 12 mijë euro, është kryer në datën 14.6.2004, ndërsa të ardhurat sipas aktit të shitjes së apartamentit në Shkodër vijnë më pas, në datën 28.6.2004. Po për këtë aset banka BKT ka konfirmuar që kredia e marrë nga Haveri ka pasur një vlerë 2.07 milionë lekë dhe jo 2.17 milionë. Nga analiza financiare KPK ka arritur përfundimin se subjekti ka një diferencë negative për këtë aset në vlerë 3 milionë lekë.

Në lidhje me apartamentin e banimit me vlerë 4.7 milionë lekë të blerë në Shkodër në vitin 2011, subjekti ka deklaruar se është blerë nga një hua me vlerë 5 milionë lekë nga zoti V.V. Analiza financiare e të ardhurave të zotit V.V deri në momentin e dhënies së kredisë ka zbuluar se si ka pasur mungesë burimesh të ligjshme për dhënien e huasë. Gjithashtu nga verifikimi i deklaratës veting KPK evidenton detyrimin e mbetur ndaj huadhënësit në shumën 900 mijë lekë, i padeklaruar. Nga analiza e kryer nga Komisioni për periudhën 2006 −2011, rezulton se subjekti nuk ka pasur burime të ligjshme financiare në shumën 2.364.582 lekë për pagesat e huasë dhe pasurinë e krijuar.

Për pasurinë apartament 95 + 14.3 m2 në komunën Farkë me vlerë 60 mijë euro, subjekti ka deklaruar një kredi bankare me vlerë 5 milionë lekë nga BKT dhe të ardhurat nga puna, KPK hetimi i KPK-së ka ngritur dyshime mbi shumën e paguar nga blerësi si kësti i parë në blerjen e apartamentit sepse deklarimet e subjektit nuk përputhen me kontratën e porosisë.

KPK ka kryer dhe analizën financiare të të ardhurave dhe shpenzimeve për periudhën 2004-2015 nga e cila kanë rezultuar vlera negative. Komisioni konstatoi gjithashtu se subjekti ka fshehur shpenzimet e shkollimit të vajzës në Universitetin “N.Y.T”, në vlerë 9758 euro- fakt për të cilën subjektit iu kalua barra e provës.

Në përfundim të hetimit KPK ka arritur në përfundimin se subjekti ka mungesë të burimeve financiare të ligjshme për të justifikuar pasuritë dhe kryerjen e shpenzimeve për periudhën 1991 − 2016, me një balancë negative 8.8 milionë lekë; ka deklarim të pamjaftueshëm për të ardhurat nga aktiviteti privat i bashkëshortit; ka deklarim të pasaktë për shkollimin privat të vajzës, duke fshehur pagesën e kryer; nuk justifikon ligjshmërinë e burimit të krijimit për huan e marrë për apartamentin në Shkodër si dhe ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë./Tpz

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne