Vettingu ‘pret’ kokën e Artan Brocit, konfirmohet Medi Bici, Gjykata e Lartë ngelet me 4 anëtarë

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi sot të shkarkonte nga detyra anëtarin e Gjykatës së Lartë, Artan Broci, dhe të konfirmonte në detyrë, anëtarin tjetër të Gjykatës së Lartë, Medi Bicin.  Trupa gjykuese e përbërë nga Valbona Sanxhaktari, Etleda Çiftja e Xhensila Pine, dha vendimin e marrë me shumicë votash, 3-0 pro shkarkimit të Brocit dhe po njësoj konfirmoi në detyrë Medi Bicin.

Vetë Broci mungonte në seancën e sotme ku pritej të jepej vendimi, ndërkohë që në seancën e pak ditëve më parë, KPK deklaroi se gjyqtari kishte mospërputhje në deklarimin e pasurisë. Sipas KPK-së, Broci kishte favorizuar një firmë ndërtimi e cila më pas dyshohet se i dha material ndërtimi në Shkodër.

Me shkarkimin e gjyqtarit Artan Broci, pozicionit i kreut të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, ngelet bosh. Broci ishte kryetar i këtij këshilli. Në seancën e kaluar, Broci tha se kishte dorëzuar të gjithë informacionin që duhej në KPK. Vendimi i KPK-së, e lë vendin me 4 anëtarë Gjykatën e Lartë, pas kolapsit me Gjykatën Kushtetuese.

DSIK dorëzoi një raport pozitiv përsa i përket figurës së gjyqtarit Bici, duke deklaruar se është i pastër; ka aftësi të zbatuese të ligjit dhe ka aftësi arsyetimi ligjor. Hetimi i DSIK ka hedhur poshtë edhe 15 denoncime nga ana e publikut. Nga ana e tij, Boci ka përgëzuar Komisionin për ekspertimin e bërë duke u shprehur më pas se shpreson për një rikonfirmim në detyrë. Bici është kandidat për Këshillin e Lartë Gjyqësor.

Burimi: Shqiptarja.com

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne