Vezët e kontaminuara me insekticide në Britani dhe Francë

Britania dhe Franca thanë të hënën se disa vezë të kontaminura me insekticide mund të kenë hyrë në vend, pasi miliona pula u hoqën nga tregu në Hollandë në një skandal evropian të ndotjes.

Belgjika ndërkohë u zotua për transparencë të plotë rreth asaj se pse e mbajti skandalin e fshehtë pavarësisht se e dinte që në fillim të qershorit për çështjen e fipronilit, një substancë që mund të jetë e rrezikshme për njerëzit.

Supermarketet në Gjermani, Hollandë dhe Belgjikë kanë tërhequr miliona vezë nga raftet pasi Belgjika i dha Komisionit Evropian njoftimin e parë më 20 korrik, ndërsa shitësit me pakicë në Suedi dhe Zvicër kanë ndjekur shembullin.

Komisioni Evropian tha të hënën se nën sistemin e shpejtë të alarmit të BE-së ishte përcaktuar se vezët nën dyshim për ndotje ishin shpërndarë gjithashtu në Francë dhe në Britani nëpërmjet Gjermanisë.

“Tani i takon Suedisë, Zvicrës, Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar për të kontrolluar, sepse të gjitha këto vezë janë të gjurmueshme”, u tha gazetarëve zëdhënësja e Komisionit Europian, Anna-Kaisa Itkonen.

Agjencia e Standardeve të Ushqimit të Britanisë tha se ishte “duke hetuar urgjentisht shpërndarjen e këtyre vezëve në MB”, duke shtuar se “numri i vezëve të përfshira është shumë i vogël dhe rreziku për shëndetin publik është shumë i ulët”.

Ajo nuk dha një numër, por tha se skandali përfaqësonte 0.0001 për qind të vezëve të importuara çdo vit në Britani.

“Ne jemi duke punuar ngushtë me bizneset që kanë marrë vezë nga fermat e prekura. Hetimet e deritanishme tregojnë se çdo produkt i prekur nuk është më në rafte,” tha ajo.

Qeveria franceze tha se 13 ngarkesa të vezëve hollandeze të kontaminuara me fipronil janë gjetur në dy fabrika të përpunimit të ushqimit në Francën qëndrore-perëndimore.

Ministria e bujqësisë tha se nuk ishin në gjendje të thonin menjëherë nëse ndonjë prej produkteve ishte dërguar tek konsumatorët.

Besohet se substanca toksike u fut në fermat e pulave nga një biznes hollandez me emrin Chickfriend që u mor për trajtimin e morrave të kuqe, një parazit i pulave.

Raportet e mediave hollandeze dhe belge se substanca që përmban insekticid u mor nga Chickfriend nga një firmë belge nuk janë konfirmuar.

Organizata hollandeze e bujqësisë, LTO, tha se disa milionë pula mund të hiqen në 150 kompani në vend, me 300 mijë tashmë të ngordhura.

Një zëdhënës i LTO tha se ato “duhej të eliminoheshin për shkak të kontaminimit”. / © Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne