Bota Shqiperia

Video/ ‘Balenciaga’ rrezikon bojkotin në Kinë për shkak të shqiptarëve, rrahën gruan kineze dhe djalin e saj në Paris

Firma luksoze spanjolle, ‘Balenciaga’ rrezikon bojkotin e produkteve të saj në tregun e madh kinez. Në rrjetet sociale janë publikuar video të një sherri të ndodhur brenda dyqanit të kësaj firme në Paris, ku pesë shqiptarë kanë dhunuar një grua kineze dhe djalin e saj. Pamjet tregojnë rojet e sigurisë që ndërhyjnë dhe nxjerrin jashtë dyqanit dy qytetarët kinezë, por për 2 milionë komentues ky ishte një gjest racist.

Gjithçka filloi kur grupi shqiptaro-francez, i përbërë nga pesë persona, nuk respektoi radhën dhe hyri në dyqan për të blerë atlete. Gruaja i kërkoi shqiptarëve që të respektonin radhën si të gjithë personat e tjerë në dyqan, por ata e kanë shtyrë dhe e kanë kërcënuar. Në këtë moment ka ndërhyrë djali i gruas, i cili më pas është përleshur me shqiptarët.

“Po dridhem nga zemërimi. Kinezët që jetojnë jashtë janë gjithnjë në minorancë. Qëndroj në radhë çdo ditë për të blerë atlete Balenciaga dhe shqiptaro-francezët nuk respektojnë radhën, por unë nuk mund të bëj asgjë”, shkruan një qytetar në rrjetet sociale.

Videot e sherrit janë bërë virale në rrjetet sociale në Kinë dhe në shumë media të huaja, përfshirë BBC. Shumë kinezë kanë bërë thirrje që Balenciaga të bojkotohet në shtetin e tyre, për shkak të trajtimit të dy qytetarëve.

Ndonëse dyqani në Paris anuloi shitjen me çmim të ulët të atleteve, pas sherrit midis klientëve, Balenciaga ka reaguar në rrjetet sociale dhe ka kërkuar falje për ngjarjen. Firma luksoze shprehet e vendosur për të respektuar të gjithë qytetarët dhe për t’i trajtuar në mënyrë të barabartë.

OPINIONE