VIDEO/ Të vetëm në kampin Al-hol në Siri pas vdekjes së gjyshes, apeli i dajës: Më ktheni mbesën dhe nipin, na thonë se nuk kanë as ujë

Me lot në sy dhe i pafuqishëm për t’i ardhur në ndihmë nipit dhe mbesës të mbetur në Siri fare vetëm pas vdekjes së gjyshes, Xhetan Ndregjoni i bën apel shtetit që ta ndihmoje.

Eva dhe Endri Dumani, 12 dhe 14 vjeç u çuan para 6 vitesh në Siri nga babai i tyre Shkëlzeni i cili u vra pak muaj më vonë. Në ndihmë të fëmijëve shkoi gjyshja e tyre Mendije Dumani e cila është kujdesur për të miturit në kampin Al-hol. Pak ditë më parë ajo humbi jetën për shkak të komplikacioneve në zemër. Daja i tyre është i frikësuar për gjendjen e fëmijëve të mitur të mbetur komplet pa kujdes dhe i bën apel shtetit për riatdhesim.

“Shteti të na thotë konkretisht çfarë do bëhet për këta njerëz. Do riatdhesohen apo do harrohen. Kjo punë nuk zgjidhet privatisht se e kam menduar, vetëm në mënyrë institucionale zgjidhet”, thotë daja i fëmijëve.

Ai tregon se telefonatat me fëmijët janë shume të rralla pasi ata nuk disponojnë telefon dhe lidhjen e bëjnë vetëm nëpërmjet disa shqiptarëve të Maqedonisë.
“Krejt të pafajshëm. Janë rrëmbyer 6 dhe 8 vjeç sot po bëjnë 12 dhe 14. janë 6 vite të ikur që s’dimë ku janë, me ça jetojnë, me çfarë ushqehen, kush kujdeset për ta, aq më tepër që humbën dhe gjyshen”, thotë ai.

Edhe ato pak telefonata që familjarët marrin e shqetësojnë më tepër gjendjen e tyre pasi dëgjojnë lutjet e fëmijëve që kërkojnë të kthehen në shtëpi dhe dëgjojnë se si të miturit vuajnë për ujë me ditë të tëra.

“Kërkojmë ndihmën e shtetit shqiptar që t’i kthejë në vendin tonë, kushtet i kuptoni vetë se si janë. Ka raste që vuajnë tmerrësisht dhe për ujë”, shprehet daja.
Eva dhe Endri Dumani u larguan nga Shqipëria në 2014 pa lejen e nënës pasi i ati e mashtroi duke thënë se do të shkonte për në vizitë në Malin e Zi. Pas javë kërkimesh u zbulua se fëmijët së bashku me të atin Shkëlzenin kishin shkuar në frontin e luftës në Siri./BW

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne