Naim Abdurrahmani
Ju duhen vetëm 3 minuta për ta lexuar këtë artikull dhe për t’i mposhtur përrallat nacionaliste serbe përgjithmonë.
~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~
Beteja e Kosovës e vitit 1389 dhe kulti i Vidovdanit (28 qershori) përbëjnë një nga shtyllat më të fuqishme të nacionalizmit serb, por edhe një pikë referimi ku palë të tjera, si kroatët, hungarezët, shqiptarët grekët apo bullgarët, janë përpjekur në mënyra të ndryshme ta përvetësojnë apo ta interpretojnë këtë ngjarje për nevojat e narrativave të tyre kombëtare.
Secila palë përpiqet të legjitimojë praninë apo rolin e saj historik duke u “kapur” pas kësaj date, duke shtrembëruar faktet pa asnjë mbështetje në dokumente historike, vetëm për t’i shërbyer ndërtimit të identitetit të tyre kolektiv.
Megjithatë, një brez i tërë historianësh, sociologësh dhe politologësh eminentë perëndimorë kanë ndërmarrë një punë të gjerë kërkimore për të ndarë faktet historike nga përrallat, pallavrat dhe manipulimet e mëvonshme politike.
Më poshtë renditen tetë nga figurat më autoritare shkencore në Perëndim, pozicionet e tyre akademike dhe analizat e tyre kritike mbi këtë ngjarje:
1-Sir Noel Malcolm, historian dhe akademik i shquar britanik (Universiteti i Kembrixhit):
Ai argumenton se miti është kryekëput politik. Rrëfimi për “humbjen” dhe Vidovdanin u krijua shekuj më vonë nga Kisha dhe u përdor në shekullin XIX si mjet politik për nacionalizmin serb.
2-Oliver Jens Schmitt historian i njohur zviceran, profesor i historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Vjenës.
Schmitt shpjegon se rëndësia e madhe politike dhe kombëtare që serbët i japin sot 28 qershorit nuk daton nga mesjeta. Në vitin 1389, kjo datë thjesht përkonte me ditën e një shenjtori të hershëm të krishterë (Shën Vitus ose Vid). Transformimi i kësaj dite në një festë të shenjtë nacionale dhe agresive shtetërore u bë shumë vonë, kryesisht në shekullin XIX, kur nacionalizmi serb kishte nevojë për një histori heroike për të justifikuar zgjerimin territorial dhe krijimin e shtetit të tyre.
3-Nathalie Clayer, historiane dhe studiuese e njohur franceze, e specializuar në historinë e Ballkanit dhe të Perandorisë Osmane. Ajo shpjegon se si periudha e fundit e Perandorisë Osmane dhe fillimi i shekullit XX e kthyen kujtesën e Betejës së Kosovës (që lidhet direkt me Vidovdanin) nga një kujtesë thjesht fetare apo lokale, në një mjet të fuqishëm nacionalist për të ligjëruar pretendimet territoriale. Instrumentalizimi në shekullin XIX. Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX, elitat kombëtare serbe e “territorializuan” mitin e Kosovës. Ata e përdorën Vidovdanin për të ushqyer aspiratat territoriale ndaj asaj që e quanin “Serbija e Vjetër” (Stara Srbija), duke e kthyer fushën e Kosovës në një “tokë të shenjtë” që duhej çliruar.
4-Tim Judah, gazetar i njohur britanik, autor dhe analist kryesor i Ballkanit për revistën prestigjioze “The Economist”:Judah pohon se Vidovdani u shndërrua artificialisht në një ideologji të viktimizimit kombëtar serb. Ai shpjegon se rreziku nuk buronte nga ajo që ndodhi në fushëbetejë në shekullin XIV, por nga mënyra se si elitat e shekujve XIX dhe XX e ringjallën këtë kujtesë kolektive për të krijuar një ndjenjë hakmarrjeje, duke përgatitur terrenin psikologjik për luftërat shkatërruese të viteve ’90.
5-Thomas Emmert, historian i shquar amerikan, profesor i historisë në Gustavus Adolphus College (Minesota, SHBA) dhe specialist i historisë mesjetare ballkanike: Emmert bën një ndarje të qartë midis dokumenteve të pakta të kohës dhe shtresave legjendare. Ai vërteton se koncepti i “humbjes totale” apo rrëfimi mbi “zgjedhjen e mbretërisë qiellore” nga Princi Lazar nuk ekzistonin në vitin 1389. Këto elemente u ndërtuan shekuj më vonë nga Kisha për ta kthyer një barazim apo dështim strategjik në një kult të martirizimit fetar.
6-Sabrina P. Ramet, profesoreshë e Shkencave Politike në Universitetin Norvegjez (NTNU) dhe eksperte e njohur ndërkombëtarisht për ish-Jugosllavinë: Ramet e klasifikon këtë ngjarje si një mit politik viktimizues dhe përjashtues. Sipas studimeve të saj mbi raportin mes fesë dhe nacionalizmit, kjo narrativë u përdor për të ushqyer bindjen e gabuar se një grup i caktuar gëzon “të drejta historike dhe hyjnore” absolute mbi një territor, duke injoruar realitetin demografik dhe të drejtat e popullsisë tjetër.
7-Eric Gordy, profesor i Sociologjisë Politike të Evropës Juglindore në University College London (UCL), Britani e Madhe: Gordy përqendrohet te funksioni modern i mitit të Vidovdanit si mjet i propagandës shtetërore dhe kontrollit social. Ai dekonstrukton me imtësi se si regjimi i Sllobodan Millosheviqit e shfrytëzoi përvjetorin e Vidovdanit në vitin 1989 (në Gazimestan) për të manipuluar ndjenjat masive dhe për të homogjenizuar popullatën përmes mediave të kontrolluara për qëllime të pushtetit.
8-Florian Bieber, profesor i Historisë dhe Politikës së Evropës Lindore dhe Juglindore, dhe Drejtor i Qendrës për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Grazit (Austri): Bieber thekson se miti i Kosovës nuk është as i lashtë dhe as i pandryshueshëm, por një strukturë “plastike” që përshtatet sipas nevojave të elitave aktuale në pushtet. Ai argumenton se çmitizimi i kësaj ngjarjeje dhe kuptimi i saj thjesht si një datë historike e mesjetës është hapi thelbësor për të arritur një pajtim të vërtetë dhe demokratik në rajon.
Për këta tetë studiues, Vidovdani shërben si një rast studimor klasik se si historia mund të merret peng nga politika për t’u shndërruar në një “karburant” për luftëra të përgjakshme dhe hakmarrje të verbër. Kjo është ana më e errët e miteve nacionaliste ballkanike: aftësia e tyre për të dehumanizuar “tjetrin”, për të përligjur mizoritë dhe për të shkatërruar çdo mundësi bashkëjetese.
Megjithatë, ky paralajmërim nuk duhet parë si një vëzhgim i distancuar, por si një pasqyrë ku shqiptarët duhet të shikojnë veten.
Rreziku më i madh nuk është vetëm manipulimi që vjen nga jashtë, por tundimi për të imituar “recetën” e dëmshme serbe. Nëse shqiptarët zgjedhin të ndërtojnë identitetin e tyre mbi të njëjtat baza mitologjike dhe agresive, nuk do të bëjnë gjë tjetër, veçse ta dëmtojnë vetëm veten e tyre.
Tragjedia më e madhe do të ishte që, në emër të mbrojtjes së identitetit shqiptar, të shndërrohen në serb që dikur i luftuan, duke u bërë kështu bartësit e një mallkimi që vetë e kanë refuzuar: atë të historisë që shkruhet me gjak e vuajtje të ndërtuara mbi gënjeshtra./fb


















