VIZIONET E ELITËS POLITIKE DHE PARISË LOKALE PAS PAVARËSISË

I ftuar në një simpozium të organizuar nga piktori tiranas z. Adnand Deda, për të përkujtuar ngritjen e Flamurit në Tiranë më 26 nëntor 1912, mbajta një kumtesë që po e publikoj për ata që kanë interes për historinë.
-0-

Xhafer Sadiku

Jurist – Studiues

Hyrje

Shpallja e Pavarësisë ishte akti i parë politik dhe juridik për formimin e shtetit shqiptar ngjarje që e bashkoi elitën politike, parinë lokale, klerin dhe popullin e thjeshtë si kurrë më parë apo edhe më pas. Ngritja e flamurit në Tiranë, më 26 nëntor 1912, nga përfaqësues të elitës politike, parisë lokale, klerikë dhe të popullit kishte domethënie historike për atëherë e për të ardhmen. Kështu ndodhi në Elbasan, Durrës, Lushnje etj., dhe më 28 nëntor 1912, në Vlorë.

1.Vizione të ndryshme për qëllime të njëjta

1.1. Asnjanësia e qeverisë së përkohëshme. Qeveria e Përkohëshme e formuar në Vlorë nën kryesinë e Ismail Qemalit shpalli asnjanësinë dhe neutralitetin, në raport me shtetet fqinje që kishin pushtuar tokat shqiptare. Qeveria mendonte se Fuqitë e Mëdha që do të vendosnin kufijtë e shtetit të ri, do të detyronin shtetet pushtuese të lironin tokat e pushtuara. Por, çeshtja qendronte se a mund të ndodhte kjo, kur deri atëherë praktka e luftërave legjitimonte përvetësimin e tokave të pushtuara.
1.2 Rezistenca e armatosur për mbrojtjen e tokave shqiptare. Ndryshe nga qeveria e Vlorës, pjesa më e madhe e elitës politike dhe parisë lokale ishin të bindur se vetëm me luftë kundër pushtuesve ballkanikë do tu imponoheshin Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve të merrnin parasysh interesat tokësore të Shqipërisë. Mbrojtës të vendosur të kësaj pikëpamje ishin kryesisht ushtarakët shqiptarë që luftonin për mbrojtjen e tokave shqiptare, kundër fqinjëve ballkanikë.
1.3 Bisedat e Ismail Qemalit me Esad Toptanin. Ditën e shpalljes së pavarësisë, më 28, madje edhe më 29 Nëntor 1912, Esat pashë Toptani bisedoi me Ismail Qemalin,
Sipas dokumentit arkivor, ai i tha diplomatit të njohur se duhej të përpiqeshin t’a ruanin si shpirtin, fuqinë që kishin në dorë, e cila ishte e vetmja forcë që u mbetej dhe ruajtja e saj ishte një çeshtje jetike.
Disa ditë pas formimit të qeverisë, Esad pashë Toptani e informoi qeverinë në Vlorë për betejat heroike që po zhvilloheshin për të mbrojtur Shkodrën. Për të dëbuar ushtrinë serbe nga Durrësi dhe zona të tjera të pushtuara, ai sugjeronte një plan veprimi sipas të cilit Abdi bej Toptani dhe figura të tjera të parisë vendore të ngrinin popullsinë e malësive të Tiranës dhe Elbasanit për të sulmuar forcat serbe në këto rajone që nuk ishin më shumë se dhjetëmijë ushtarë.
Përgjigja që i dërgonte Ismail Qemali, firmosej edhe nga ministrat, madje nga të gjithë politikanët që ndodheshin në Vlorë. Në gjuhën e diplomatit, reflektohej qëndrimi i dyzuar i qeverisë: nga njëra anë i shprehnin besim të plotë dhe veprimet e mëtejshme ia linin në dorë gjeneralit, duke i uruar famë dhe trimëri. Nga ana tjetër nuk shprehnin qëndrimin e qartë të qeverisë.
1.4. Mbështetja e Esad Toptanit për mbrojtjen e Dibrës. E njëjta qasje edhe per luftën e Dibrës disa muaj më pas. Më 11 shtator 1913, Esat Toptani kishte vendosur të shkonte vet në Dibër. Ai i drejtohej qeverisë: Nuk mundet t’i lëmë që të merren nëpër këmbë kaq njerës, djemtë e atdheut tënë. Më 24 shtator ai i drejtohej përsëri: Në këtë çështje që i përket të tashmes dhe të ardhmes së Shqipërisë, qeveria, po nuk tregoi aktivitet dhe qënien kombëtare, do të pësojë në sy të botës nëmën dhe mallkimin përgjithmonë.
Esad Toptani e njoftonte qeverinë se kundër agresionit të serbëve po merrte masa për forcimin e kufirit të Dibrës. “Tue marrë marasysh aleancën e serbëve me grekët”, – theksonte ai, – “kësi ngjarjesh priten të ndodhin edhe në Jug dhe Juglindje. Ai i kërkonte qeverisë të merreshin masa efikase për çdo eventualitet”. Por… qeveria e përkohëshme nuk veproi. Parashikimi i Esad Toptanit ishte i përpiktë dhe pasojat rezultuan tragjike për Jugun e Shqipërisë.
1.5. Hasan Prishtina dhe ideja për kryengritje në Kosovë. Më 15 shtator, ministri Hasan Prishtina i shkruante nga Vlora Esad Toptanit se ndihej nevoja e një lëvizje të përgjithshme në Kosovë dhe se ai do të jepte dorëheqjen për të shkuar atje. Për nevoja të lëvizjes, ai kërkonte t’i jepeshin 2000 lira me mandat pagese, të cilat do harxhoheshin për këtë qëllim. Por.., prej dy ditësh Ismail Qemali kishte nxjerrë një urdhër sekret kundër Esad Toptanit.

2.Vizionet e shtetit kantonal dhe shtetit unitar

Qeveria e Përkohëshme kishte vizion të ndryshm edhe për shtetin. Një pjesë e qeverisë ishte për shtetin me kantone, por një pikëpamje e tillë kundërshtohej nga pjesa tjetër. Filluan mosmarrëveshjet, grindjet, madje në mars 1913 edhe dorëheqjet. Ismail Qemali ishte për kantonizimin e vendit, ndërsa pjesa më e madhe e elitës politike dhe parisë lokale për shtetin e bashkuar.
Ismail Qemali paraqiti një projekt për shtet të ndarë në kantone, për të cilin u deklarua në mbledhjen e qeverisë, mbajtur më 30 tetor 1913. Projekti në fjalë do t’i bëhej me dije popullit, por që në fazën fillestare reagimi kundër tij ishte i ashpër.

3. Intriga për të përçarë shqiptarët

Përfshirja e Esad Toptanit në qeverinë e përkohëshme forcoi pozitat e saj dhe shtriu autoritetin në zona të tjera të vendit. Por, ata që kishin projekte për t’i nxjerrë nga skena elitën që shpalli pavarësinë dhe mendonte të qeveriste e pavarur Shqipërinë, në mënyrë të veçantë Ismail Qemalin, Esad Toptanin, Prenk Bib Dod Pashën, Hasan Prishtinën etj., nxitën intrigat kundër tyre. Më 16 qershor 1913, Ismail Qemali informonte Esad Toptanin-se intrigantët bënin ç’mos që të krijonin mosbesim midis tyre dhe kësisoj t’a bënin të pamundur vetqeverimin kombëtar. – Pas kaq sukseseve dhe ngadhnimeve të shkëlqesisë s’uaj, – theksonte ai, – disa njerëz ambiciozë e dashakeqës, personin dhe qendrimin tuaj, kërkojnë ta paraqesin si një pengesë dhe si një shenjë ngatërrese. Një rol veçanërisht negativ do të luante në vitet që do të vinin ajo që njihej si “Klika”. Është nder për fisnikërinë dhe parinë e Tiranës që nuk kanë qenë pjesë e saj.

4.Pakënaqësia kundër qeverisë së përkohëshme

Mosmarrëveshje të thella kishte në vend për mënyrën e qeverisjes. Më 1 tetor 1913 u mbajt një miting i madh i popullit të Tiranës, i cili aprovoi një peticion për kryetarin e Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemal bej Vlorën. Letra firmosej nga kryetari i bashkisë Zyber Nekiu dhe 46 përfaqësues të popullit të Tiranës. Ata e kritikonin për mënyrën e qeverisjes për abuzimet dhe shpenzi¬met dhe i kujtonin se arka e qeverisë mbushej dhe përtërihej prej djersës së ballit, prej gjakut dhe shpirtit të këtij populli, të sekuestruar dhe të shtypur, ndërsa qeveria e përdorte për të realizuar ambiciet dhe interesat e saj.
Në emër të popullit të Tiranës, kërkonin nga kreu i qeverisë që të viheshin në zbatim pesë pika:
Art. 1. Selia e qeverisë të transferohej në Durrës për të shtrirë autoritetin e saj në malësitë e vendit.
Art. 2. Ismail Qemali në bashkëpunim me Esad Toptanin të formonin një kabinet i cili të përbëhej prej elementësh të zotë dhe që të kishin besimin e kombit.
Art. 3. Të thirrej Senati që të kontrollonte qeverinë.
Art. 4. Të kërkohej prej Fuqive të Mëdha që të zgjidhej sovrani i Shqipërisë.
Art. 5. Të gjitha veprimet e llogaritë e qeverisë së përkohëshme të dorëzoheshin kabinetit të ri.
Këto pika nuk i kërkonte vetëm populli i Tiranës, por edhe i krahinave të tjera. Një grup mbështetësish të qeverisë së Vlorës i dërgoi një letër qeverisë, në të cilën kërkonin me ngut që pikat e cituara të viheshin në zbatim sa më shpejt. Të njëjtat kërkesa kishte edhe parija e Durrësit, Skraparit, kazaja e Lezhës, Dibra e vogël dhe Dibra e madhe, dhe zona të tjera. Këshilltari i tij i sugjeroi Ismail Qemalit të pranonte kërkesat se edhe një pjesë e popullit të Elbasanit ishte e pakënaqur me qeverinë e përkohëshme.

Përfundime:
• Bazuar në dokumentacionin e administruar në arkiva dhe atë që i është ofruar publikut nga historiografia zyrtare, vërehet qartë padrejtësia e shkaktuar nga politika dhe ideologjia që kanë fshehur të vërtetën historike, kanë dëmtuar sistemin arsimor dhe keqedukuar brezat.
• Është kultivuar e nxitur në mënyrë të padrejtë koncepti i “patriotit” dhe “tradhtarit” që për më shumë se tetë dekada po përçan popullin.
• Janë etiketuar “tradhëtarë” ata që luftuan për mbrojtjen e Shqipërisë dhe “patriotë” ata që e grabiten dhe shtypen popullin.

———–
Referenca:

AQSH, fondi 145, viti 1913, dosja I – 5, f. 3. Shih dhe Lef Nosi, “Dokumenta Historike”, Nr. 2103, Tiranë 13 Vjeshtë e Tretë 1328-1912, 3 ora e natës. Vendimi historik, u muar nga antarët e këshillit: Refik Bej Toptani, Fuat Bej Toptani, Xhelal Bej Toptani, Abdullah Gjinali, Sheh Ahmet Pazari, Myderiz Sulejman, Myderiz Hysen, Myslym Beshiri, Jusuf Aqif Banka, Selim Petrela dhe Papa Nikolla Papajani, u shpall përpara popullit të Tiranës nga Refik Bej Toptani. Në telegramin dërguar përfaqësuesve të mbledhur në Vlorë, ata deklaronin: “Tashti shpallëm independencën n’emën të Shqipnisë. Kërkojmë e lutemi të ruhen të drejtat e pamohueshme të’indipendencës tonë”
Lef Nosi, Dokumente Historike, f. 176; Proklamimi i Indipendencës Shqiptare, Telegram nr. Nr. 431, Karagjah, 15 Vjeshtë e Tretë 1328-1912.
AQSH, fondi 145, dosja II-51, f. 1-5. Letër e Esad pashë Toptanit dërguar parësisë e fisnikëve të Beratit e të Vlorës, dhjetor 1912.
Letrën e firmosën: Myfid Libohova, Azis Vrioni, Polo Meksi, Isa bej Buletini, Riza bej Gjakova, Mid’had Frashëri, Dervish Biçaku, Sami bej dhe Iliaz bej Vrioni, Bedri Pejani, Rexhep Mitrovica, Ajdin bej Draga, Abdi e Murat Toptani, Mustafa Kruja, Avni Delvina, Myftiu Vehbi Agolli, Luigj Gurakuqi, Hysen Hoxha, Meksi, Qemal Lushnja, Hajredin Cakrani, Abaz Efendi Durrësi, Mustafa aga Durrësi, Azis efendi Gjirokastra.
AQSH, fondi 145, dosja II-50, f. 1-3. Letër e kryetarit të Qeverisë së Përkohshme, Ismail Qemalit, dërguar Esad pashë Toptanit në Shkodër, dhjetor 1912.
AQSH, fondi 145, dosja III-5.2, f. 198.
AQSH, fondi 145, dosja V-13, f. 1-2. Telegram i Esad Toptanit, ministër i Punëve të Brendshëm i qeverisë së Përkohshme në Vlorë, dërguar nga Durrësi kryesisë së qeverisë në Vlorë.
AQSH, fondi 145, dosja III-5.2, f. 214. Tel. i Hasan Prishtinës, 15 vjeshtë e parë 1913.
AQSH, fondi 145, viti 1913, dosja II-26, f. 28. Telegram i Ismail Qemalit dërguar Prefekturës së Elbasanit, 13 shtator 1913.
“Shqypnia e Re”, Shkodër 18 shtator 1913, f. 1-2.
AQSH, fondi 145, dosja III-4, f. 556. Telegram i Ismail Qemalit për Esad Toptanin. 16 qershor 1913.
AQSH, fondi 145, viti 1913, dosja 2, f. 39. Telegram i Esad Toptanit dërguar Ismail Qemalit, 28 shtator 1913.
AQSH, fondi 145, dosja III-5.2, f. 146-155. Letër e popullit të Tiranës, mbledhur në mitingun e 1 tetorit 1913, firmosur nga kryetari i Bashkisë Tiranë, Zyber Nekiu dhe 46 përfaqësues të popullit.
AQSH, fondi 145, dosja III-5.2.
AQSH, fondi 145, viti 1913, dosja 3. 5-2, f. 400. Letër e Parisë së Skraparit dërguar Ismail Qemalit dhe Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, 26/9 tetor 1913.
AQSH, fondi 145, dosja III-5.2, f. 239-240. Letra firmosej nga: Rifat Laparica, Bektash Cakrani, Sami Vrioni, Qemal Vrioni, Abdyl Zaskoshta, Hasan Hekali, Sheh Mustafa, Hasan Laparica, Hysni Galosi, Bajram Margëllëçi, Rushit Gushova, Rushit Shemshedini, Izet Resuli, Qazim Vrioni, Shaban Xhezo, Sotir Kolea, Kamber Belisshova, Jani Stefa, Dervish…, Fuad …, Sotir Shyti, Sadik, Selman, Shaqir, Ahmet Bestrovica, Sulo.
AQSH, fondi 145, viti 1913, dosja 26, f. 42-42/1.
AQSH, fondi 145, viti 1913, dosja 29, f. 12./fb

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne