Vjosa Osmani shfuqizon dekretet për konsujt në Pragë, Lubjanë, Shkup e Tiranë

Presidentja në Detyrë e Kosovës, Vjosa Osmani ka shfuqizuar katër dekrete për konsuj të përgjithshëm në: Pragë, Lubjanë, Shkup dhe Tiranë. Këto dekrete ishin nënshkruar nga ish-presidenti, Hashim Thaçi.

“Për tri rastet e para (Pragë, Lubjanë, Shkup), bazuar në praktikën diplomatike e konsullore, konsullatat e përgjithshme, si rregull, nuk hapen dhe konsujt e përgjithshëm nuk emërohen në të njëjtin qytet ku ndodhet edhe ambasada. Për më tepër, bazuar në informatat që na janë dërguar, për këta konsuj të përgjithshëm nuk kishte pëlqim nga shteti pritës”, thuhet në njoftimin e presidencës.

Osmani këtë vendim e kishte paralajmëruar më herët gjatë ditës së mërkurë pasi u raportua emërimi i Flakron Shalës, djalit të deputetit Haxhi Shala, si Konsull i Përgjithshëm në Pragë.

Vota e Haxhi Shalës ka qenë vendimtare në votimin e Qeverisë aktuale të drejtuar nga Avdullah Hoti.

Emërimi i Flakron Shalës në këtë pozitë ishte kundërshtuar edhe nga shoqëria civile në Kosovë.

Të shkarkuarit e tjerë janë: Blendi Kilaj në Lubjanë, Lindon Kqira në Shkup dhe Halim Krasniqi në Tiranë./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne