Shqiperia

Vlahutin merr tender nga qeveria? Basha: Dhurata e Ramës për vëllain

Një nga skandalet e paralajmëruar nga kreu i PD-së Lulzim Basha në mbledhjen e PD-së është dhe marrja e një tenderi sipas tij korruptiv dhe të paracaktuar prej 15 mln eurosh një firme kroate.

Por ndonëse nuk e tha me emër, Basha u shpreh gjatë bashkëbisedimit me gazetarë se pas këtij tenderi qëndron një shtetase e huaj që ka qenë në Shqipëri deri pak kohë më parë, duke iu referuar ish-ambasadores së BE-së, kroates Romana Vlahutin. Basha tha se ky tender është dhuratë e kryeministrit për vëllain tij.

“Pa dekriminalizimin e zgjedhjeve dhe pa ndarjen e politikës nga krimi në Shqipëri nuk do ketë asnjë sekondë, asnjë ditë dhe asnjë hapësirë institucionale për proces normal politik. Rama gjendet në pushtet për shkak të krimit.

Skandali i paralajmëruar 5 javë më parë nga PD për aferën korruptive të Olsi Ramës dhe me gjasa një shtetase të huaj, me detyra zyrtare deri para pak kohësh në Shqipëri, si rezultat i së cilës një kompani kroate në dhunim total të rregullave minimale të konkurrencës siç e kemi paralajmëruar ka fituar një tender prej 14-15 milionë eurosh në procesin e menaxhimit fiskal të vendit. Prej më shumë se dy vitesh kemi paralajmëruar në bazë të denoncimeve konkrete se kjo është një dhuratë e kryeministrit për vëllain tij. Mekanizmi që është gjetur në këtë rast, fasada e një kompanie private vetëm fakton vërtetësinë e akuzave që i kemi bërë publike. Shikoni vetëm një aspekt, jo thjesht që opozita vuri gishtin dhe denoncoi para publikut se kjo do të ndodhë, kjo kompani do ta marrë por edhe çmimi me të cilin e ka fituar: në limitet e fondit limit. Për të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe institucionet që e kushtojnë veprimtarinë e tyre luftës kundër korrupsionit,
Flamuri i kuq, drita e kuqe, indikatori kryesor që tregon se një tender është i korruptuar është kur ai fitohet në kufijtë e çmimit limit. Dhe kjo ka ndodhur e padyshim ky përbën një skandal të jashtëzakonshëm. Tregon shkallën e lartë të sofistikimit të korrupsionit të qeverisë Rama ku arrin të përfshijë edhe me ndihmën e faktorëve të tjerë të korruptuar jashtë vendit kompani të huaja. Denoncimi është bërë pak minuta më parë nga deputetët e PD-së, nga nënkryetarja e komisionit të Ekonomisë zonja Tabaku dhe deputeti i Elbasanit Endri Hasa por nuk do mjaftohemi me këtë denoncim”, deklaroi Basha.

Kreu i PD bëri një paralajmërim të fortë për fituesit e tenderit.
“Një paralajmërim të qartë dua t’ju bëj sot fituesve të këtij tenderi se do të jenë subjekt i menjëhershëm i dispozitave antimafia dhe se i garantoj se nuk do të arrijnë dot të gëzojnë frytet e grabitjes, vjedhjes në të cilën janë përfshirë si aksesorë të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve apo familjarëve të tij”, theksoi Basha.

Po sot më herët, deputetja e PD Jorida Tabaku tha se kriteret e tenderit të fituar nga kompania kroate janë korruptive, sepse, ato ishin ishin llogaritur për t’iu përshtatur kompanisë kroate. Në deklaratë, Tabaku nuk përmendi emra por theksoi se Partia Demokratike po merr ndërkohë informacionin e nevojshëm se kush qëndron prapa kësaj kompanie.

“Faktohet paralajmërimi i PD 5 javë më parë, se monopolin e kontrollit të faturimit mbi biznesin do ta fitojë një kompani kroate. Kompania kroate u shpall fituese e tenderit prej 15 milionë eurosh në një garë fasadë me një kompani që nuk i plotësonte kriteret. Tenderi korruptiv me fitues të paracaktuar është vazhdimi i skandalit të zbuluar 3 vjet më parë nga opozita, që e detyroi Edi Ramën të heqë dorë përkohësisht nga dhënia me koncesion e monitoimit dhe mbledhjes së TVSH-së një kompanie kineze offshore e lidhur me të vëllanë, Olsi Rama”, deklaroi Tabaku.

Burimi: BalkanWeb

OPINIONE