Edi Rama përsëriti shpjegimin teknik të situatës dhe e zhvendosi përgjegjësinë tek “pjesët hidraulike jashtë standarteve” të vitit 2009–2010 pra para se socialistët të vinin në pushtet dhe se zgjidhja erdhi nga Stambolli.
Pas pesë ditësh pa ujë është rregulluar pas mesnate defekti i tubit kryesor dhe një pjesë e qytetit të Vlorës po furnizohet me ujë.
Rregullimi i tubit u bë në orën 4:00 të mëngjesit, ku nisi edhe furnizimi i depove. Megjithatë furnizimi nuk po bëhet me kapacitet të plotë për shkak të testimit të pajisjes së montuar.
Mungesa e furnizimit me ujë të pijshëm, ka shkaktuar zemërim dhe protesta të vazhdueshme nga qytetarët prej disa ditësh.
Që prej ditës së djeshme, banorë të shumtë, të mbështetur edhe nga përfaqësues të shoqërisë civile dhe simpatizantë të Partisë Demokratike, janë grumbulluar përpara Bashkisë së Vlorës duke kërkuar zgjidhje të menjëhershme.
Protesta ka sjellë tensione të forta, ku qytetarët kanë tentuar të futen brenda ambienteve të Bashkisë dhe janë përplasur me forcat e policisë.
Ata kanë goditur derën kryesore me bidona uji dhe kanë kërkuar takim me kryetaren e Bashkisë, ndërsa policia ka ndërhyrë për të mbajtur situatën nën kontroll dhe për të garantuar rendin publik.
Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve (AKUK), Flauers Shoshi, sqaroi se ndërprerja e furnizimit me ujë të pijshëm erdhi si rezultat i shkarjes së dheut dhe depërtimit të ujit në linjën e vjetër.
Ndërsa kryeministri Edi Rama në një status në rrjetet sociale, përsëriti shpjegimin teknik të situatës dhe e zhvendosi përgjegjësinë tek “pjesët hidraulike jashtë standarteve” të vitit 2009–2010 pra para se socialistët të vinin në pushtet.
Përpjekjet për riparim gjatë tre ditëve të fundit kanë dështuar, pasi presioni i lartë ka çarë vazhdimisht pjesët e riparuara. Si pasojë, mijëra familje kanë mbetur pa ujë, ndërsa disa qytetarë janë parë duke mbushur bidona nga deti ose duke përdorur burime lokale me mjete primitive. Shërbimet kritike, përfshirë spitalin dhe institucionet me rëndësi të veçantë, furnizohen përmes boteve të zjarrfikësve nga burimi “Uji i Ftohtë”.

Situata ka tensionuar edhe jetën sociale në qytet. Dy ditë më parë qytetarët ndërhynë gjatë një mbrëmjeje gala të organizuar nga Bashkia, duke bllokuar bulevardin “Ismail Qemali” dhe duke u përplasur me policinë.
Ndërsa kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini, e cila e ka cilësuar situatën si një fatkeqësi natyrore dhe ka bërë thirrje që të mos përdoret për qëllime politike.
“Kjo është një fatkeqësi natyrore, nuk duhet përdorur për të bërë politikë. Nuk është momenti të gjejmë fajtorin, por të japim zgjidhjen,” u shpreh ajo.
Sipas Mersinit, zgjidhja përfundimtare është në proces, pasi pjesët rezervë për riparimin e defektit po vijnë nga Turqia. Ajo bëri të ditur se avioni me tre pjesët rezervë zbret në orën 02:30 dhe pritet të mbërrijnë në Vlorë rreth orës 17:00. Ndërkohë, Bashkia ka vënë në funksion një zgjidhje të përkohshme, duke furnizuar pjesërisht qytetin përmes ujësjellësit, ndërsa në terren janë angazhuar 15 autobotë dhe strukturat e emergjencave civile, të cilat po shpërndajnë ujë të ambalazhuar.
Gjatë protestës së sotme, para qytetarëve është shfaqur edhe drejtori i Përgjithshëm i Ujësjellës-Kanalizimeve të Shqipërisë, Flauers Shoshi, i cili u përball drejtpërdrejt me pyetjet dhe reagimet e protestuesve. Ai deklaroi se ndodhet prej 72 orësh në Vlorë dhe shpjegoi se defekti nuk është riparuar për shkak të presionit të lartë dhe vendndodhjes së vështirë të avarisë.
“Kemi tentuar tre herë ta rregullojmë, por nuk kemi arritur. Pajisjet origjinale janë duke ardhur dhe sonte në mesnatë defekti do të rregullohet dhe uji do të vijë,” tha Shoshi, duke shtuar se aktualisht në qytet janë angazhuar 11 bote uji.
Ai sqaroi se defekti është shkaktuar nga gërryerja e dheut poshtë tubacionit si pasojë e ujërave dhe theksoi se ka dalë mes qytetarëve për t’u shpjeguar situatën dhe për të dhënë garanci për zgjidhjen e saj.
Autoritetet lokale shprehen optimiste se furnizimi me ujë do të normalizohet brenda orëve në vijim, ndërsa qytetarët e Vlorës mbeten në pritje të rikthimit të plotë të ujit të pijshëm dhe të një zgjidhjeje përfundimtare të kësaj krize./pamfleti


















