Shqiperia

VOA: Në Shqipëri në tre muajt e fundit viktimat nga koronavirusi u 9-fishuan

Në Shqipëri pas tre muajve të parë që u shoqëruan me masa të rrepta shtrënguese, Koronavirusi shënoi një rritje të shpejtë, me viktimat që thuajse janë dhjetëfishuar në tremujorin pasues, dhe rastet e konfirmuara që janë rritur më shumë se 8 herë, duke kulmuar në muajin gusht. Me afrimin e vjeshtës autoritetet shëndetësore presin një situatë edhe më të vështirë

Në 9 mars Ministria e Shëndetësisë konfirmoi dy rastet e para me COVID 19, babë e bir të kthyer pas një periudhe qëndrimi në Itali. Pas 6 muajsh panorama shfaqet me dy pamje të ndryshme. Falë masave të forta shtrënguese, “në tre muajt e parë, virulenca dhe transmetueshmëria e virusit nuk po kryente rutinën apo fiziologjinë e tij për shkak të karantinës”, shpjegon për Zërin e Amerikës Eugena Tomini, Shefe e Survejancës dhe Shërbimit të Inteligjencës Epidemike në Institutin e Shëndetit Publik.

Deri më 9 qershor në total u rregjistruan 35 vdekje dhe 1263 raste. Situata u përmbys në tre muajt që pasuan, me një shtim progresiv të viktimave, të të infektuarve si dhe të të shtruarve në spitale. Numri i vdekjeve thuajse u nëntëfishua duke shkuar mbi 320, ndërsa rastet e reja u rritën mbi 8 herë, duke kapur shifrën e mbi 10600 të infektuarve.

“Në tre muajt në vijim për shkak lirimit gradual të masave, virusi nisi të bënte shfaqjen fiziologjike të tij duke dhënë dhe transmetueshmërinë në popullatë, siç patëm dhe transmetimet komunitare apo dhe vatrat familjare të evidentuara”, thotë zonja Tomini.

Heqja e masave shtrënguese, për t’i dhënë frymë dhe ekonomisë, koincidoi dhe me sezonin veror, i shoqëruar “me “shfrenimin” e popullatës, përtej aktviteteve normale, pasi vera sjellë dhe aktivitete shoqërore, dhe kjo bëri që të kemi një tendencë të rritur të rasteve”, shprehet zonja Tomini.

Ndërsa vendet e BE-së i mbajtën të mbyllura dyert për udhëtarët nga Shqipëria, vendi nga ana tjetër i hapi portat për turistët nga jashtë, ku dominuan vizitorët nga Kosova dhe nga Maqedonia, ndonëse situata në këto dy shtete paraqitej më e rënduar. Por zonja Tomini shpjegon se “janë matur disa indikatorë, si ato përkundrejt rasteve të vdekjeve, të pozitivitetit apo rasteve të hospitalizuara. Në të gjothë rajonin kanë qenë thuajse në të njejta nivele. Prandaj dhe kufiri u hap me fqinjët, për shkak të situatëts epidemiologjike, pak e shumë të njejtë”

Afrimi i vjeshtës, e cila shoqërohet me viroza të ndryshme, jo vetëm respiratore pritet ta komplikojë situatën dhe në Shqipëri. Zonja Tomini pohon se dhe për vetë strukturat shëndetësore gjendje do të bëhet më e ndërlikuar: “Do jetë një vjeshtë e vështirë ndryshe nga vjeshtët e tjera, sa i përket jo vetëm monitorimit detektimit në kohë të rasteve, gjurmimit të kontakteve. Duke marrë parasysh dhe zbatuar në mënyrë rigoroze dhe rekomandimet e OBSh për të kaluar në një shkallë alerti monitorimin e të gjithë infeksioneve respiratore, dhe strukturat janë në gatishmëri për detektimin në kohë të çdo rasti të dyshuar”.

Në varësi të ecurisë së pandemisë e cila nuk po jep shenja përmirësimi, pritet që në lojë të hyjë dhe spitali COVID 3 e ndoshta deri në fund të viti dhe ai COVID 4, apo dhe spitalet rajonale.

Gjatë 6 muajve të pandemisë mosha më e prekur ka qenë ajo mes 30-39 vjeç, e ndjekur nga 50-59 vjeç, ndërsa goditjet fatale kanë qenë në gati 45 përqind të rasteve për personat mbi 70 vjeç, dhe mbi 30 përqind për grupmoshën 60-69 vjeçare, ndonëse nuk kanë munguar rastet e vdekjeve dhe për ata mes 20-29 vjeçarët e 30-39 vjeç.

Bie në sy, se femrat dominojnë lehtë ndaj meshkujve, sa i përket rasteve të të infektuarve, ndërkohë që ka një hendek të dallueshëm lidhur me vdekjet, ku raporti është 68 përqind meshkuj dhe pjesa tjetër femra.

/VOA/

OPINIONE

INTERVISTA