Vodhi vjehrrin, i mori në shtëpi 6400 dollarë. Zbardhet dëshmia e nuses: Ja pse e bëra, burri nuk di gjë, atij i thosha se…

Nusja 22-vjeçare është arrestuar dje nga Policia e Tiranës, pasi për të mobiluar shtëpinë e saj, ka vjedhur paratë në shtëpinë e vjehrrit.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Marqinet të Vorës dhe në pranga ka rënë Fatjona Bumja, e cila ka rrëfyer gjithçka në Komisariatin e Vorës, ku më pas është bërë edhe arrestimi i saj në flagrancë. Burime zyrtare nga Policia e kryeqytetit thanë se nusja e re dyshohet se ka vjedhur 6400 dollarë në shtëpinë e vjehrrit të saj, që ndodhej shumë pranë shtëpisë ku ajo jetonte me të shoqin.

Vjedhja është realizuar në periudha të ndryshme përgjatë një viti dhe, sipas saj, të gjitha paratë që ka marrë nga shtëpia e prindërve të bashkëshortit, i ka shpenzuar për të blerë sende të ndryshme për të mobiluar shtëpinë e saj. Ndërsa i shoqi duket se ka qenë jashtë kësaj historie, pasi ai vetë, por edhe nusja, ka pohuar se nuk ka pasur asnjëherë dijeni për atë që po ndodhte.

Nga ana tjetër, vjehrri dhe vjehrra kishin nisur të dyshonin prej pak kohësh dhe më pas kanë vendosur t’i drejtohen Policisë.

NGJARJA

Fatjona Bumja, 22 vjeçe, nuk kishte shumë kohë që ishte martuar, por jetonte me bashkëshortin në një shtëpi më vete, që ishte shumë pranë shtëpisë së prindërve të tij. Të dyja familjet, ajo me të shoqin dhe vjehrri me vjehrrën, jetojnë në fshatin Marqinet të Vorës.

Prindërit e bashkëshortit të saj prej pak kohësh jetojnë vetëm, pasi djalin tjetër e kanë në emigracion dhe herë pas here, nga puna që bën jashtë vendit, u dërgonte para. Burime nga Policia thanë se nusja i ka vjedhur paratë në periudha të ndryshme, jo të gjitha njëherësh. Vjehrri ka filluar të dyshojë dhe e ka denoncuar në Polici. Ajo është shoqëruar nga shërbimet e Komisariatit të Vorës dhe gjatë marrjes në pyetje është provokuar duke ia bërë fakt të kryer vjedhjen me arsyetimin se kishte prova që e fajësonin për ngjarjen.

Duke dyshuar se vërtet vjehrri me vjehrrën kishin prova kundër saj, ajo e ka pranuar autorësinë e ngjarjes, nga e cila ka përjashtuar plotësisht bashkëshortin, duke thënë se ai nuk dinte asgjë. “I kam vjedhur për të blerë perde dhe gjëra të ndryshme për të kompletuar shtëpinë. Burri nuk di asgjë, pasi atij i kam thënë që paratë m’i jepnin prindërit e mi”, mësohet të jetë shprehur 22-vjeçarja.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë u bë arrestimi në flagrancë i shtetases F. B., 22 vjeçe, pasi në Marqinet, ka vjedhur shumën prej 6400 dollarësh amerikanë, në banesën e vjehrrit të saj”, tha dje zyrtarisht Policia e Tiranës./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne