Vox Cinemas do të hapë 600 salla kinemash në Arabinë Saudite

Grupi Majid Al Futtaim në Dubai që ka në pronësi Vox Cinemas, tha të enjten se kishte marrë licencën për të hapur kinematë e para në Arabinë Saudite.

Mbretëria saudite, një vend thellësisht konservator, po i jep fund një ndalimi pothuajse 40-vjeçar të kinemave komerciale, të cilat u mbyllën në fillimin e viteve 80 nën presionin e konservatorëve. Kinematë po kthehen përmes një reforme të princit të kurorës për modernizimin e mbretërisë.

Kinemaja e parë e drejtuar nga AMC Entertainment Holdings pritet që të fillojë punën e saj këtë të premte. Autoritetet planifikojnë që të hapin tani rreth 350 kinema dhe deri në vitin 2030 më shumë se 2500 të tjera, me të cilat shpresojnë që të tërheqin rreth 1 miliard dollarë prej shitjeve vjetore të biletave.

Vox tha në një deklaratë se po investonte 2 miliardë rijalë (533 milionë dollarë) në Arabinë Saudite për të hapur 600 kinema në pesë vitet e ardhshme, duke filluar me kompleksin Riyadh Park Mall, i cili do të ketë kinemanë e parë IMAX të mbretërisë saudite.

Aktualisht janë në plan të hapen edhe kinema të tjera në qendrën tregtare Mall of Saudi të grupit Majid Al Futtaim dhe në qendrën tregtare City Centre Ishbiliyah. Të dy zonat ndodhen brenda në Rijad.

Majid Al Futtaim do të jetë distributori ekskluziv për të gjitha kinematë Saudite i filmave të kompanisë 20th Century Fox, e cila planifikon që të nxjerrë në vitin 2018 filmat, “Mendje të erreta”, “Predatori” dhe “Alita: Engjëlli i luftës”./dailysabah/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne