Shqiperia

Vrasja e biznesmenit në Shkodër, pse e kyçi gojën shoqëruesi i tij? Detajet e hetimit

Policia e Shkodrës po heton personat që shoqëronin Arjan Ferracakun, ditën që atij iu bë atentat. Burime nga policia e këtij qyteti thanë se ka dyshime që njëri nga të pranishmit, kur u vra Arjan Ferracaku, ka njohur autorin por deri më tani ka refuzuar të flasë për Policinë.

Dyshimet e hetuesve janë që ky person ose ishte në dijeni për ndonjë gjobë që mund ti jetë vendosur Arjan Ferracakut, ose kishte informacione për konfliktin e 30-vjeçarit me persona të tjerë.

Deri më tani asnjë prej 5 personave që ishin të pranishëm kur Ferracaku u qëllua rreth 15 herë, nuk ka pranuar se mund të kenë parë në fytyrë autorët, pasi janë trembur dhe kanë ikur me vrap.

Nga të dhënat e tabulateve telefonike ka rezultuar se Arjan Ferracaku ishte një njeri familjar dhe i rregullt në Shkodër. Ai nuk kishte precedent penal dhe nuk kishte konflikte me njeri. Edhe nga dëshmitë e miqve dhe familjarëve ka rezultuar se 30-vjeçari nuk ishte problematik në Shkodër.

Për këto arsye po hetohen personat që e shoqëronin atë, sepse ka dyshime të forta që njëri prej tyre të kishte informacion për ndonjë kërcënim apo gjobë që mund ti jetë vendosur Arjan Ferracakut.

15 të shoqëruarit e tjerë kanë mohuar se kishin informacion për ngjarjen. Ndërkohë uniformat blu të Shkodër kanë pyetur edhe disa turistë kosovar të cilët ishin duke bërë hipizim në zonë. Ata kanë thënë se kanë dëgjuar të shtënat dhe kanë parë një person të ikë me vrap, por nuk kanë arritur dot të dallojnë fytyrën e tij, pasi ishin më shumë se 300 m larg.

Hetimet për vrasjen e Arjan Ferracakut deri më tani janë në vendnumro, pasi nuk janë gjetur prova që mund të identifikojnë autorët. Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj u ka vendosur ultimatum drejtuesve të Policisë Shkodër se nëse nuk zbardhin ngjarjen, atëherë do të ketë masa deri në largim nga detyra.

30-vjeçari Arjan Ferrcaku u vra mesditën e së shtunës, në një fushë në periferi të Shkodrës.

Burimi: Shqiptarja.com

OPINIONE

INTERVISTA