Bota

“Vrasja e civilëve afganë nga ushtarët australianë, krim ndaj njerëzve të pafajshëm”

Kreu i Këshillit të Lartë për Pajtim Kombëtar të Afganistanit, Abdullah Abdullah, lidhur me zbulimin për vrasjen e 39 civilëve nga ushtarët australianë që kanë kryer krime lufte në Afganistan tha se “Nuk ka asnjë mundësi për të përshkruar këtë brutalitet. Këto janë krime të kryera kundër njerëzve të pafajshëm dhe unë jam i shokuar”.

Në kuadër të vizitës zyrtare që zhvilloi në Turqi më 19-20 nëntor, Abdullah në një prononcim për Anadolu Agency (AA) foli mbi të ardhmen e bisedimeve të pezulluara për një kohë ndërmjet afganëve, raportin në të cilin paraqiten pretendime se ushtarët australianë kanë kryer krime lufte në Afganistan dhe marrëdhëniet Turqi-Afganistan.

Abdullah tha se gjatë vizitës së tij u takua me shumë zyrtarë turq, përfshirë kryesisht presidentin Recep Tayyip Erdoğan, kryetarin e Parlamentit turk, Mustafa Şentop dhe ministrin e Jashtëm, Mevlüt Çavuşoğlu. Kryesisht bisedimet u përqendruan në pikën e arritur në bisedimet ndërmjet afganëve të cilat filluan në kryeqytetin e Katarit, Doha, më 12 shtator 2020 dhe të cilat prej disa kohësh janë pezulluar.

“Në këtë proces Turqia ka pasur një rol të rëndësishëm”, theksoi Abdullah i cili bëri të ditur se në bisedimet që ka zhvilluar është menduar se çfarë roli mund të ndërmarrë më shumë Turqia e cila ka mbështetur gjithmonë paqen në Afganistan.

Zbulimi i vrasjes me qëllim i civilëve afganë nga ushtarët australianë

Lidhur me zbulimin e vrasjes së 39 civilëve afganë nga ushtarët australianë që kanë kryer krime lufte në Afganistan, Abdullah tha se “Nuk ka asnjë mundësi për të përshkruar këtë brutalitet. Nuk ka asnjë mënyrë për ta shpjeguar se çfarë ka ndodhur. Kjo është e pakonceptueshme. Këto janë krime të kryera kundër njerëzve të pafajshëm dhe unë jam i shokuar”.

“Në të njëjtën kohë do të arrijmë në të vërtetën që Qeveria e Australisë ka shprehur me të gjithë qartësinë se çfarë ka ndodhur. Ngjarjet janë hetuar në mënyrë të gjerë dhe ata kanë të gjitha detajet e kësaj. Gjithashtu ka një angazhim për të gjykuar përgjegjësit. Fatkeqësisht kjo i ka shokuar të gjithë sepse raporti përmban shumë detaje, përfshirë mjerimin dhe situatën e njerëzve të përfshirë në luftë”, tha Abdullah.

Ndërsa në lidhje me pretendimin e shtypit australian se ushtarët e vendit mund të kenë kryer edhe krime të tjera përveç vrasjeve të 39 civilëve në Afganistan, Abdullah shtoi se “Për sa i përket dhimbjeve të civilëve, jam i sigurt se kjo nuk është situata e vetme. Ka edhe lloje të tjera të raporteve por nuk mund të them se ka edhe ngjarje të tjera për forcat e Australisë”.

Duke bërë të ditur se duhet të jenë të kujdesshëm kur bëjnë përgjithësime, Abdullah tha më tej:

“Sepse në 20 vitet e fundit në luftën në Afganistan kanë marrë pjesë qindra mijëra njerëz. Kjo nuk është sjellje e përgjithshme e këtyre forcave por një person që vepron në këtë mënyrë duhet të jetë i papranueshëm dhe në të vërtetë ngjarjet duhet të ndiqen në mënyrë të gjerë duke ndihmuar që këto gjera të parandalohen”.

“Procesi i bisedimeve mes afganëve i ngadaltë por mundësitë janë ende të pranishme”

Pas pyetjes për ecurinë e bisedimeve ndërmjet afganëve të cilat filluan në kryeqytetin e Katarit, Doha më 12 shtator 2020 dhe të cilat prej disa kohësh janë pezulluar për shkak të mosmarrëveshjeve mes palëve, Abdullah ndau mendimin e tij se procesi është i ngadaltë por mundësitë janë ende të pranishme.

“Në këto situata, talebanët ishin më pak fleksibël nga ajo që pritej, por në bisedime duhet të shkohet me fleksibilitet. Gjithashtu nga populli afgan ka një kërkesë për uljen e dhunës, për një armëpushim ose një armëpushim humanitar”, tha Abdullah.

Pasi rikujtoi se edhe shumë vende kanë bërë thirrje për armëpushim humanitar, Abdullah theksoi “Mendojmë se sërish ka një mundësi dhe shpresoj se vazhdimi i luftës nga talebanët nuk është zgjidhje. Nëse ofrohet një zgjidhje duhet të jenë fleksibël. Edhe ekipit tonë të bisedimeve i janë dhënë udhëzime që ta bëjë këtë”.

“Fituesi i luftës nuk do të jetë humbësi i paqes”

Në pyetjen “A besoni se do të sigurohet paqja e përhershme nëse vazhdojnë bisedimet ndërmjet afganëve?” Abdullah nënvizoi se bisedimet duhet të vazhdojnë.

Abdullah rikujtoi se me luftë nuk fiton askush. “Jemi të detyruar të bëjmë çdo gjë për të siguruar paqen. Nuk do të ketë fitues me rrugën e luftës. E përsëris atë që kam thënë në konferencën në Doha ‘Nuk do të kenë humbës me rrugën e zgjidhjes paqësore, të gjerë dhe gjithëpërfshirëse’. Nëse njëri nga palët beson se mund të fitojë me rrugën e luftës, ky është një gabim i madh”, potencoi Abdullah.

Sipas tij, gjetja e një rruge për të siguruar paqe është përgjegjësi e të dyja palëve. “Nëse mendojnë se do të fitojnë në bisedime duke rritur dhunën, nëse e kanë përllogaritur këtë, kjo nuk do të mund të realizohet”, tha Abdullah.

“Edhe administrata e ardhshme e SHBA-së do të mbështesë procesin e paqes”

Lidhur me pyetjen se cili do të jetë ndikimi në bisedime me talebanët i të zgjedhurit president në SHBA, Joe Biden zyrtari afgan Abdullah njoftoi se kanë besimin se administrata e Bidenit do të mbështesë procesin e paqes.

“Edhe administrata e ardhshme e SHBA-së do të mbështesë procesin e paqes, për këtë nuk kam asnjë dyshim. Sepse edhe në SHBA ka një qasje të gjerë se ka ardhur koha për të mbështetur procesin e paqes dhe se në fund nuk do të ketë nevojë për njësitë ndërkombëtare në Afganistan”, tha Abdullah.

Ai shtoi se administrata e re në SHBA do të tregojë disa përpjekje lidhur me çështjen dhe se kjo është e lidhur me ata.

Zvogëlimi i numrit të ushtarëve të SHBA-së në Afganistan

Në vlerësimin e tij lidhur me deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump për zvogëlimin e numrit të ushtarëve në Afganistan, Abdullah tha: “Kanë vendosur të tërheqin një pjesë të ushtarëve dhe në të njëjtën kohë të ruajnë një pjesë të tyre. Në Afganistan do të qëndrojnë 2.500 ushtarë. Kanë vendosur të mbështesin institucionet afgane të sigurisë, institucionet e mbrojtjes kombëtare dhe kjo është një gjë e mirë. Kjo politikë do të vazhdojë”.

Ai thotë se edhe vendet e NATO-s do të marrin vendim në koordinim të afërt me SHBA-në. “Për këtë arsye njësitë e NATO-s do të vazhdojnë praninë. Me shumë mundësi do të marrin vendim në fund të dhjetorit të këtij viti për këtë çështje. Por, premtimet për të mbështetur institucionet afgane janë me afat të gjatë”, vlerëson Abdullah.

Kush është Abdullah Abdullah

Zgjedhjet presidenciale në Afganistan, të planifikuara për më 20 prill 2019 dhe në të cilat kandidonte edhe Abdullah Abdullah u mbajtën më 28 shtator 2019 pas shtyrjes së tyre për dy herë. Rezultatet jozyrtare për të cilat u tha se do shpalleshin më 19 tetor u shpallën më 22 dhjetor për shkak të kundërshtimeve të bëra pas zgjedhjeve ku garuan 14 kandidatë presidencialë.

Komisioni Zgjedhor i Afganistanit njoftoi se president u zgjodh Ashraf Ghani ndërsa Abdullah pretendoi se zgjedhjet u fituan prej tij.

Më 17 maj u njoftua arritja e dakordimit mes Ghani që u shpall më 18 shkurt president nga Komisioni Zgjedhor i Afganistanit dhe Abdullah i cili nuk pranonte rezultatet me pretendimin se në zgjedhje ka patur mashtrime.

Sipas marrëveshjes, Abdullah Abdullah mori detyrën e Kreut të Këshillit të Lartë për Pajtim Kombëtar të Afganistanit dhe përcaktimin e gjysmës së kabinetit.

Abdullah, me detyrën e re zhvillon edhe procesin e bisedimeve të paqes që janë planifikuar të mbahen mes talebanëve dhe Qeverisë së Afganistanit./AA

OPINIONE

INTERVISTA