Islamofobi Opinion

Vrasja e Muslimanëve

Në Indi sot, nacionalizmi ka një fe. Hinduizmin. Ne mund t’i biem rrotull dhe t’i referohemi si Hindutva, safronizmi ose ashtu si e quan partia në pushtet, Bhartiya Janata, “elementi rrënjë”, por diskursi është ngulitur qartë në besimin e shumicës së komunitetit.

Shpifjet kundër muslimanëve janë bërë të zakonshme. Një vend që dëshiron të deklarojë lopën si nënë të kombit dhe ku pakicat duhet ta vërtetojnë patriotizmin e tyre jo nga besnikëria ndaj flamurit, por ndaj partisë politike në pushtet, është i detyruar të përfundojë në kaos.

Dy vjet më parë, një bandë me shkopinj hokeji dhe me thika u dyndën në shtëpinë e Mohammed Akhlaq në Dadri në veri të Indisë dhe i sulmuan të gjithë anëtarët e familjes përpara se ta vrisnin atë, sepse dyshonin se kishte mish lope në frigoriferin e tyre. Mishi u dërgua në laboratorin e mjekësisë ligjore dhe u gjet se ishte mish qengji.

Kur një nga vrasësit e tij vdiq (nga shkaqe natyrore), atij iu bë një funeral martirësh; arkivoli i tij u mbulua me flamurin kombëtar dhe u mbajtën fjalime nga drejtuesit e organizatave indiane që kanë qasje të drejtpërdrejtë në qeveri.

Muajin e kaluar në fund të Ramazanit kur Junaidi hipi në tren për t’u kthyer në shtëpi me çantat e pazareve të Bajramit, ai mund të mos e kishte imagjinuar se njeriu i moshuar të cilit i liroi vendin, do të inkurajonte një turmë që godiste atë dhe miqtë e tij. Sharjet filluan. “Ngrënës lopësh”, “antinacionalë”, “mullah”. Ata u tërhoqën nga flokët dhe mjekra. Më pas turma nxorri thikat duke u thënë atyre të shkonin në Pakistan. Djemtë u lanë në gjak. Askush nuk u erdhi në ndihmë. Junaidi u godit me thikë. Ai vdiq. Ai ishte 16 vjeç.
Në stacionet gjatë rrugës, disa prej banditëve u larguan, si një veprim i mjaftueshëm për t’i lënë policët me më pak prova.

Një përleshje për vende u transformua në një luftë për hapësirën politike dhe fetare. Ose, ndoshta, këmbëngulja fetare ishte duke kërkuar arsye.

Tregtari i mishit Alimuddin Ansari u rrah nga një turmë dhe furgonit të tij, me sa duket me mish viçi, iu vu flaka në Jharkhand. Duket se ka pasur një mosmarrëveshje me disa njerëz që po tentonin t’i merrnin atij paratë. Këto justifikime janë bërë normë kur viktima është muslimane, sepse ai nuk ishte një akt spontan. Lëvizjet e tij u gjurmuan për orë të tëra para se të vritej.

Mohammad Majloom dhe Inayatullah Khan nga Latehari po merrnin bagëtitë e tyre nga një qendër bamirësie. Pesë burra me një mision iu drejtuan atyre. Pasi ata vranë 35 dhe 13 vjeçarin, ata lidhën një lak rreth qafave të tyre dhe i varën në pemë.

“Në pamje të parë duket se ky ka qenë një rast i një bande që është përpjekur të plaçkisë bagëtitë”, thanë policët. Atyre që synonin të vidhnin nxitimthi bagëtinë dhe të bënin një ikje të shpejtë për të përfituar prej saj, duket se u ka pëlqyer kryerja e vrasjeve. Dhe jo vetëm që i vranë të dy, por edhe i varën. Varja ishte një mesazh. Për turp. Për t’i bërë ata një shembull. Si guxojnë të mos e respektojnë gau matën e tyre, nënën lopë, fenë e tyre?

Është shqetësuese që bandat po e përdorin mbrojtjen e lopës si një shkak madhor edhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet e vogla. Turpërimi ka një nxitje të mëtejshme, sepse videot janë ngarkuar dhe shpërndarë. Mesazhi kështu merr më shumë tërheqje. Ajo që është shumë e dukshme në këto video virale është se i ashtuquajturi ‘mentaliteti xhihadist’, për të cilin muslimanët akuzohen, nuk demonstrohet te ata. Viktimat shokohen menjëherë nga papritshmëria e sulmit; në disa raste ata luten, dikush nuk ka as energji as vetëdije për të protestuar, pasi banditët e kapin nga flokët dhe e godasin. Ai thjesht rri si një stoik që është mësuar të nënshtrohet.

Narendra Modi, kryeministri i Indisë, nuk ka shprehur asnjë fjalë që ngushëllon ndonjë nga këto vdekje. Ai mbajti zi për humbjet e jetëve në një zjarr në Portugali, por nuk bën asnjë përpjekje për të shkuar tek familjet e të vrarëve nga burrat që supozohet se mbështesin ëndrrën e partisë së tij Hindutva, një ëndërr për të rikthyer Indinë e lashtë dhe për ta transformuar vendin në një komb hindu.

Kur ai flet, është i paqartë: “Të gjitha qeveritë duhet të ndërmarrin veprime të rrepta kundër atyre që shkelin ligjin në emër të mbrojtjes së lopës”.

Si do të ndodhë kjo, kur disa qeveri shtetërore po u japin policëve pajime të shtrenjta për zbulimin e viçave që të nuhasin problemet, duke e kthyer në mënyrë efektive forcën e policisë edhe në mbrojtës të lopëve? Vetë fakti se ka disa grupe mbrojtëse të lopëve është shqetësues, sepse ata nuk janë aktivistë për të drejtat e kafshëve, por ushtarë të besimit.

“Bolo Jai Shri Ram” është thirrja e luftës. Njerëzit ndalen në rrugë dhe u kërkohet t’i përulen me besnikëri zotit të tyre. Një grua mendërisht e paqëndrueshme u godit dhe u detyrua të shqiptojë fjalët; një klerik u ndalua jashtë xhamisë nga një grup që këmbëngulte që ai të përsëriste frazën; gazetari Munne Bharti po voziste me prindërit e tij të moshuar. Papritmas, makina e tyre u rrethua nga një grup. Ata kërcënuan se do t’i vinin flakën makinës nëse ata nuk këndonin “Jai Shri Ram”. Ata e bënë. Një i rritur ishte frikësuar për vdekje, për veten dhe prindërit e tij të moshuar.

***

Atëherë, si mund të mos ketë lidhje me fenë kjo?

Ajo ka pasur gjithmonë lidhje me fenë, ndoshta nga disa mendje të ndrydhura. 25 vjet më parë, Bal Thackeray, kreu i militantëve Shiv Sena, kishte bërë thirrje për diskriminimin e muslimanëve. Ai fliste në mitingje të mëdha në një terren të hapur duke iu referuar muslimanëve si “katua”, pra të bërë synet. Pasi xhamia Babri u shkatërrua në Ayodhya, sipas udhëzimeve të këtyre partive politike, dhe trazirat arritën kulmin në atë kohë, burrat në rrugë tregonin me gisht nga muslimanët duke qeshur nën zë: “katua”. Ata ndaloheshin dhe iu kërkohej një kontroll i rastit nga njerëz gjithashtu të rastit. Ndryshe nga siksët pas trazirave të vitit 1984, të cilët hodhën poshtë turbanët e tyre dhe rruajtën flokët për të mbrojtur veten, muslimanët nuk mund ta kthenin pas synetllikun.

Në Konventën ‘E Gjithë India Hindu’, e mbajtur muajin e kaluar në Goa, për 4 ditë të gjitha makinat në vendin e ngjarjes u mbuluan me urinë lope për t’u pastruar ato. “Makina e tyre ka nevojë për shuddhi karan. Ne e bëjmë atë me të gjitha objektet – ora, rroba, nganjëherë edhe çanta. Është një ushtrim shpirtëror.”

Mënyra se si njerëzit zgjedhin të praktikojnë besimin e tyre është një çështje personale. Por kur ju bëni soda me urinën e lopës dhe jashtëqitjen e saj e bëni pjesë të ilaçeve, atëherë bëhet e qartë se lopa dhe viçi janë të rastësishme këtu. Ato janë thjesht pretekstet më të fuqishme për të mundur pakicat. Ekziston edhe një kënd komercial. Dhënia e tokës dhe e të drejtave të biznesit një guruje sharlatan të quajtur Ramdev për të drejtuar një perandori që duket se shet produkte indigjene, është një strategji për ta sjellë djallin afër shtëpisë tuaj.

Gratë e reja hinduiste janë duke u stërvitur në vetëmbrojtje për t’u mbrojtur nga “xhihadi i dashurisë”, një “lugat” i krijuar nga të djathtët që sugjerojnë se burrat muslimanë po i joshin ato të bien në dashuri për t’i konvertuar më vonë.

Në maj të vitit të kaluar, pati një raport në lidhje me një kamp në Uttar Pradesh, që trajnonte hindutë e rinj të organizatave militante për të mbrojtur vendin nga terroristët. Në video ata duken teksa shënjestrojnë me armët dhe shkopinjtë e tyre burra që mbajnë kapele. Guvernatori e kishte justifikuar stërvitjen: “Ata që nuk mund ta mbrojnë veten, nuk mund ta mbrojnë as vendin, dhe nuk ka asgjë të keqe nëse disa të rinj po marrin trajnim me armë – thjesht për mbrojtje vetjake”.

Fakti që në vend që të nxisin këta të rinj të aftë për t’u bashkuar me ushtrinë, ata janë duke u shpëlarë trurin për të shënjestruar një grup të caktuar, e bën qëllimin e qartë.
Atëherë, si nuk ka lidhje kjo me fenë?

Pasojat e kësaj shpëlarje të trurit nuk janë të kufizuara vetëm për mbështetësit ekstremistë të Hindutvas. Ekziston një përpjekje jo-aq-delikate nga liberalët për të shmangur njerëzit edhe nga Hinduizmi i terrorit. Një akademik që ka marrë përsipër t’i shpjegojë Indinë indianëve në mediat sociale nga SHBA-ja, ka shkruar për industrinë globale të viktimave muslimane duke luajtur viktimën: “Nuk mund të përdoret termi ‘terror musliman’ (por terror hindu ose i krishterë ose i majtë në rregull) apo terror islam, pa u shqetësuar se do të quhesh fanatik apo islamofobik. Fraza e përshtatshme është “terrori islamist”, i cili, duhet sqaruar, nuk ka të bëjë fare me Islamin”.

Disa komentues kanë filluar ta quajnë Indi Lynchistan, toka e linçimit. Ne duhet ta dimë se bandat nuk po bëhen papritur të famshme. Ata nuk po kërkojnë një mandat popullor, sepse ata tashmë janë mandati popullor. E vërteta është se askush në mediat kryesore ose në aktivizëm apo dikush me një perspektivë të jashtme, si Dr.Amartya Sen, nuk ka pasur guximin apo vullnetin për t’i quajtur ata si hinduistë terroristë.

A është e rëndësishme kjo nomenklaturë? Është. Sepse ka një përpjekje sistematike për të asgjësuar minoritetet, veçanërisht muslimanët. (Shumë ndryshe nga terrorizmi islamik viktimat e së cilit janë kryesisht muslimanë dhe, në disa raste, si viktimat e ISIS-it, njerëz të cilët janë mjaft liberalë për të mbështetur muslimanët.)

Muslimanët menjëherë distancohen nga çdo dhunë e xhihadit, edhe pse kjo nuk i ndalon fqinjët e tyre që t’i shohin ata si të dyshuar potencialë.

Sistemi hinduist i kastave dhe mënyra e trajtimit të Dalitëve dhe kastave të prapambetura, zbulon padyshim ‘fluiditet’. Të gjitha trazirat e ndërmarra nga qeveria janë udhëhequr nga një intelekt i vrazhdë që ia transferon luftën policisë dhe ushtrisë dhe nxit klasën tregtare për të shkatërruar bizneset e pakicave. Vrasja e pakicave është vetëm një pohim më i dhunshëm i këtij getoizmi të shumicës elitare.

Ka shumë që përdorin liberalizmin e tyre në internet për të racionalizuar fanatizmin e tyre delikat. Shumë prej tyre përdorin shpesh shprehjen “Nuk jam shumë hindu”.

Gjatë kohëve të fundit, titujt vërtiten rreth asaj se si viktimizimi hinduist është një thirrje e fabrikuar. Megjithatë, në vetë paragrafin e parë, një shkrimtar i ishte drejtuar muslimanëve duke cituar – nga të gjithë njerëzit që mund të zgjidhte – Xhorxh Bushin: “India është një vend që nuk ka asnjë anëtar të vetëm në al-Kaeda me një popullsi prej 150 milionë muslimanësh.” Hindutë nuk duhet të dëshmojnë nëse kanë besnikëri ndaj ndonjë organizate ekstremiste, edhe nëse i zgjedhin ata në pushtet.

Ajetet islamike përdoren si fetva dhe xhihad për të shpjeguar aktet terroriste hinduse dhe për të sugjeruar se ata janë vetëm “imitues” të një versioni tjetër të islamofobisë dhe projektojnë dhunë nga ekstremistët hinduistë si reagim ndaj shekujve të abuzimit nga sundimtarët muslimanë. Ky tregim historik sulmon idenë ‘tolerojini muslimanëve pavarësisht nga e kaluara’; busulla morale që zbulon se kush e konsideron veten në anën superiore.

Këto përpjekje të fundit për të thirrur ekstremistët hindu nuk janë organike. Ato janë një përgjigje për disa nga ne që pyesin pse ne nuk e kemi lidhur fjalën hindu me terrorizmin. Ne jemi zgjuar, ose, në gjuhën e vjetër hinduistë, dhe në nder të shumë prej nesh që janë konvertuar nga religjioni i lashtë, syri ynë i tretë është zgjuar.

Farzana Versey

/ Gazeta Impakt

OPINIONE