Vritet në një atentat mafioz miku ish-polic i Elvis Martinajt

Një 26-vjeçar u vra mbrëmjen e së martës në Tiranë teksa po lëvizte me makinë. Santiago Malko, ish-polic, mik i Elvis Martinajt, u vra në një atentat të stilit mafioz sapo doli nga një lavazh.

Mediat raportuan se ai u qëllua me armë automatike prej një makine tjetër, e cila po e priste në daljen e një lavazhi në rrugën Xhanfize Keko.

Malko u qëllua disa herë derisa makina e tij u përplas me një mur anës rrugës. Rreth 10 gëzhoja u gjetën vetëm në vendin ku 26-vjeçari u vra.

Ngjarja ndodhi në orën 22:20. Pak pas vrasjes, në fshatin Ferraj, rreth 6,5 kilometra larg vendit ku ndodhi atentati, policia gjeti një makinë, të cilës i qe vënë zjarri.

Autoritetet dyshojnë se ajo ishte përdorur nga atentatorët, të cilët mendohet se kanë qenë dy.

Ndërkohë mediat kanë zbardhur të shkuarën e viktimës. Tre vite më parë Malko kishte qenë polic patrulle, por që më pas ishte larguar nga forcat e rendit.

Ai qe përfshirë në disa konflikte. Në vitin 2016, pavarësisht se ishte polic, u zu me vëllezërit Edmond dhe Gentian Llashi, konflikt të cilin mediat e lidhin me një borxh bastesh sportive.

Malko njihet për shoqërinë me Ervis Martinajn, ky i fundit akuzuar për vrasje, armëmbajtje pa leje, falsifikim dokumentash, pastrim parash dhe evazion fiskal.

Martinaj, i cili zotëronte disa sallone bastesh sportive, më 4 tetor 2018 u plagos me armë ndërsa shoku i tij Fabian Gaxha mbeti i vrarë.

Pamje nga Report-TV/Personi i pa-identifikuar në ngjarjen e vrasjes në ish-Bllok, i cili thuhet se ka qenë Malko.

Ngjarja ndodhi pas një përleshje në një lokal në zonën e ish-bllokut. Në të u përfshinë edhe Redi Popesku, Eljo Hato, Eldi Dizdari, Ervin Mata, Geldo Hoti dhe Merviol Bilo.

Asokohe në një video të rrjedhur nga kamerat e sigurisë, autoritetet nuk mundën të identifikonin me saktësi një person me kapele që dilte nga lokali pak pasi kishte ndodhur ngjarja.

Gazetari i kronikës Flamur Vezaj e pati zbuluar identitetin e tij që në nëntorin e atij viti, ndërsa mediat e raportuan vetëm të mërkurën se personi në fjalë në ngjarjen e 4 tetorit kishte qenë Santiago Malko./ EXIT

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne