Vritet një shkencëtar palestinez në Malajzi, familja fajëson Mosadin

Një shkencëtar palestinez është qëlluar për vdekje nga dy persona në kryeqytetin malajzian, Kuala Lumpur, ndërsa po shkonte në një xhami për namazin e sabahut, njoftoi policia vendase.

Fadi al-Batsh, një akademik 35 vjeçar palestinez, anëtar i Hamasit, u vra menjëherë nga sulmuesit e panjohur në një lagje të Kuala Lumpurit të shtunën.

I jati i Al-Batshit tha për Al Jazeeran se për vrasjen e djalit të tij akuzon agjencinë e inteligjencës izraelite, Mosadin, si dhe i bëri thirrje autoriteteve malajziane që të hetojnë sa më shpejt që të jetë e mundur mbi autorin e vrasjes.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Bernama, zëvendëskryeministri i Malajzisë, Ahmad Zahid Hamidi tha se të dyshuarit besohet se ishin evropianë të lidhur me një agjenci të huaj zbulimi.

Sipas shefit të policisë Datuk Seri Mansor Lazim, të dy sulmuesit e kishin pritur Batshin para një ndërtese banimi në zonën Setapak për gati 20 minuta dhe e qëlluan me të paktën 10 fishekë, katër prej të cilëve e vranë menjëherë.

Policia tha se Al-Batsh u qëllua në trup dhe në kokë, duke shtuar se po hetohet çdo detaj, përfshirë edhe terrorizmi.

Hazem Qassem, zëdhënës i Hamasit i konfirmoi Al Jazeeras se Al-Batsh ishte një anëtar i lëvizjes.

Në një deklaratë në Twitter, Hamasi e përshkroi Batshin si një “dijetar të ri palestinez” nga Jabalia e Rripit të Gazës. Ai e quajti al-Batshin një “martir” dhe tha se ai ishte një “shkencëtar i shquar i cili kishte kontribuar gjerësisht në sektorin e energjisë”.

Ambasadori palestinez në Malajzi Anwar H al-Agha tha se viktima ishte edhe imam i dytë në xhaminë ku falej, citon gazeta Straits Times.

Raportohet se ai jetonte në Malajzi që prej 10 vitesh.

Ambasadori tha se Imam Fadi do të nisej në një konferencë në Turqi të shtunën. Ai ishte i martuar dhe kishte tre fëmijë.

Në dhjetor të vitit 2016, eksperti palestinez i avionëve Mohamed al-Zawari, u qëllua për vdekje në Tunizi. Hamasi akuzoi Izraelin për vrasjen e tij.

Izraeli besohet gjerësisht që të ketë vrarë aktivistë të shumtë palestinezë në të kaluarën, shumë prej të cilëve në vende të ndryshme./aljazeera/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne