Vuçiç flet në Tiranë: I kënaqur nga takimi me Ramën dhe Zaev

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç thotë se është ndarë i kënaqur nga takimi me kryeministrat e Shqipërisë dhe të Maqedonisë së Veriut, Edi Rama dhe Zoran Zaev mbrëmjen e së premtes në Tiranë. Vuçiç u ka thënë medieve serbe se “janë arritur marrëveshje konkrete për shumë gjëra”.

“Kjo që po e bëjmë është rrugë vizionare dhe është diçka që edhe Beogradit, edhe Shkupit e edhe Tiranës do t’i sjellë zhvillim, më shumë para, standard më të mirë të jetesës, qëndrim dhe mbijetesë për popujt tanë në vatrat e tyre, e jo vetëm ikje jashtë vendit me barkun zbrazët”, – tha Vuçiçi për gazetarët pas takimit sipas asaj që raporton agjencia serbe e lajmeve “Fonet”.

Vuçiç tha se takimi i radhës do të jetë në Beograd në fund të janarit dhe vlerësoi se “do të jetë historik” për atë se çfarë do të bëhet deri atëherë.

Presidenti serb dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut do të qëndrojnë në Tiranë për të qenë të pranishëm dhe zhvilluar atë që njihet si takimi i “Mini-Schengenit Ballkanik”. Pas takimeve të zhvilluara në Novisad dhe Ohër, kësaj here Rama, Vuçiç dhe Zaev po takohen në Tiranë.

Ndërsa Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi pasi i tha “jo” ftesës së Ramës për t’u takuar në Tiranë për takimin e tretë mes Ramës, Vuçiçit e Zaevit duke deklaruar se “derisa Serbia vazhdon të mohojë krimet e kryera ndaj qytetarëve të Kosovës dhe nuk e njeh Kosovën si shtet, iniciativat për bashkëpunim rajonal janë krejtësisht të pakuptimta”. Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje në Tiranë organizoi një tubim në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” kundër vizitës së Vuçiç./Tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne