Rajoni

Vuçiç: Serbia ka dhe do të vazhdojë të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, në forumin ndërkombëtar “GlobSec” që është duke u zhvilluar në Bratislavë, ka thënë se Serbia ka marrëdhënie të mira me Rusinë dhe do t’i vazhdojë ato edhe në të ardhmen.

Ai ka shtuar se Serbia është një vend i orientuar drejt Bashkimit Europian i cili ka marrëdhënie të mira me Rusinë.

“Ne vazhdojmë të jemi të dyshuar për diçka që nuk e kuptojmë. Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Rusinë dhe ne do të vazhdojmë ta kemi atë. Jemi një shtet i cili është i orientuar drejt Bashkimit Evropian dhe shpesh herë e theksoj këtë gjë edhe gjatë takimeve me Presidentin rus, Vladimir Putin. Serbia është një vend i pavarur i orientuar drejt BE-së, që do të vazhdojë të ketë marrëdhënie të mira me Rusinë”.

“Ne i kemi përmbushur të gjitha detyrimet që na janë caktuar nga BE-ja. Nga ana tjetër, Kosova kishte vetëm një obligim (zbatimin e Asociacionit të Komunave Serbe) dhe ka dështuar”.

“Unë nuk luaj ndonjë lojë këtu, sepse jam i gatshëm të vazhdoj negociatat me Hashim Thaçin. Ne kemi zbatuar gjithçka, dhe nuk ka asnjë person të vetëm në këtë dhomë, përfshirë Hashim Thaçin, i cili mund të thotë se nuk i kemi përmbushur të gjitha detyrimet tona”.

“Mendoj se duhet të vazhdojmë të punojmë shumë më shumë në të ardhmen për gjetjen e një marrëveshjeje mes Serbisë dhe Kosovës. Ndërsa Hashim Thaçi dy ditë më parë ka thënë se ai nuk do ta zbatojë Asociacionin e Komunave Serbe; një marrëveshje që ai vet e ka nënshkruar./klank

OPINIONE