Opinion

World Politics Review/MEK, potenciali për një krizë me qendër Shqipërinë

Para disa ditësh në Manëz, pranë Tiranës, u mbajt një aktivitet i zgjeruar ndërkombëtar me prezencë të Rydy Giulianit dhe zyrtarëve të tjerë amerikanë. Aktiviteti ishte një riafirmim i politikës subversive amerikane ndaj regjimit të ajatollahëve në Iran, kundër të cilëve SHBA nuk ka mjet më të mirë për të përdorur veç grupimit MEK – Mujahedin – e- Khalq – ish-komunistë, dikur të shpallur si terroristë, të rehabilituar së fundmi nga Uashingtoni. Nga aktiviteti ku mori pjesë edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe mnistri aktual për Diasporën, Pandeli Majko, u hodhën thirrje kundër qeverisë iraniane dhe u premtua liria e vendit.

Nga ambasada iraniane në Tiranë nuk pati ndonjë reagim, ndërkohë që mediat kryesore shqiptare e paraqitën aktivitetin në fjalë si një episod të lumtur të miqësisë shqiptaro-amerikane dhe nën frymën e një angazhimi thelbësor të vendit tonë për eksportimin e demokracisë. Në çdo vend normal pyetja që do të shtrohej është: a përfaqëson kjo politikë kërcënim për sigurinë e Shqipërisë?

Është një gjë të strehosh disa militant dhe krejt tjetër të japësh me konçesion territory dhe të drejta politike për një grupim që vepron kundër një vendi me të cilin ke marrëdhënie diplomatike. Muxhahedinët iranianë kanë tashmë qytetin e tyre në territor shqiptar që funksionon si seli diplomatike nën kontroll të huaj, pa shprehur ndonjë status zyrtar për këtë.

Lidhur me këtë paradoks të një shteti patatinash si Shqipëria ka shkruar Frida Ghitis, një gazetare me përvojë dhe që shkruan për disa nga mediat kryesore në botë. Në një opinion në “World Politics Revieë”, Ghitis shtron pyetjen nëse prezenca e MEK kërcënon stabilitetin e Shqipërisë, edhe kështu i tronditur. Është një pyetje që do të duhet ta bënte edhe e ashtuquajtura opozitë shqiptare. Do të duhet ta bënin me nder fjalës intelektualët e Tiranës, jo në emër të ndonjë antiamerikanizmi, por edhe në emër të lirisë për të menduar, edhe pse mendimi i lirë është luks në këtë vend.

Ghitis rendit thuajse të gjitha problemet politike të Shqipërisë duke vënë në dukje se politika amerikane po e vendos Shqipërinë “në mes të dosjes iraniane”.

“Bolton dhe Giuliani e kanë promovuar MEK si një qeveri legjitime në azil që duhet eventualisht të zëvendësojë Republikën Islamike, ndonëse ka pak mbështetje brenda Iranit. Vëmendja e administratës Trump mbi MEK ka tërhequr padyshim vëmendjen e Teheranit në momentin e rrezikshëm politik në Shqipëri…Korrupsioni ka qenë endemic në Shqipëri që nga rënia e komunizmit, por kryeministri Rama gëzon përgjithësisht mbështetjen e SHBA dhe të pjesës më të madhe të Europës…Synimi I MEK mbetet rrëzimi I regjimit iranian ndonëse ky grup tashmë betohet se ka hequr dorë nga dhuna. Rritja e vizibilitetit të grupit në kontekstin e një përballjeje të administratës Trump me Iranin do ta ekspozonte Shqipërinë më shumë se asnjëherë ndaj ndërhyrjes së jashtme. Potenciali për një krizë të re në Europë dhe brenda NATO-s, me qendër në Shqipëri më shumë se kudo, është shumë real,” shkruan Ghitis.

Përtej Shqipërisë, problemi që është shtruar nga kritikët e administratës Trump është pothuajse i njëjti që i drejtohej administratës Obama. E cila quante luftëtarë të lirisë, thuajse të gjithë ata që dolën kundër regjimit të Bashar al Assadit në Siri. Bolton, njeriu që mesa duket dëshiron të rrëzojë një regjim të huaj në jetën e vet, provoi në Venezuelë të bënte diçka, por dështoi. Është naivitet të mendosh se MEK do të shndërrohet në forcë të lirisë, ndaj edhe lufta ndaj regjimit iranian që këtu merr tipare amorale dhe karakterizohet nga dëshpërimi.

Ç’hyn Shqipëria në këtë lojë? Asgjëkundi nuk hyn. Tirana zyrtare ka strehuar MEK për shkak të një kërkese të SHBA në këmbim të mbylljes së syve ndaj paudhësive të klasës politike. Në fund një akt korruptiv blihet me një politikë korruptive. Është shumë e vështirë që të lexosh ndonjë interes të vendit tonë në këtë lloj politike, përveçse një interesi personal të Kryeministrit. Por dikur kjo do të na kushtojë shumë shtrenjtë, sepse gjërat ndryshojnë dhe ky lloj përdorimi që i bëjmë vetes, kur i paguhemi prurësit më të parë, shpjegon në masë të madhe përçmimin dhe mospërfilljen e të tjerëve ndaj Nesh. Dhe të mendosh që injoranca fiton aq shumë terren sa dikur në emër të saj artikulohen terma qesharakë si Albanofobia./respublica

OPINIONE