Xhaçka: Në Uzinën e Mjekësit do prodhohen armë për NATO-n

Uzina e Mjekësit në Elbasan do rikthejë aktivitetin e saj në prodhimin e armëve luftarake, pas disa vitesh ndërprerje. Në këtë uzinë ka përfunduar ndërkohë procesi i demontimit të armëve dhe puna në të ka ndaluar prej katër vitesh.

Lajmin e ka dhënë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë diskutimit të projektbuxhetit për vitin 2018 në komisionin parlamentar të Sigurisë. Bëhet fjalë për një investim 25 milionë dollarë dhe 150 vende të reja pune. Sipas ministres së Mbrojtjes, armët dhe municionet që priten të prodhohen në Mjekës do përdoren nga vendet anëtare të NATO-s. “Kemi rastin e parë që do të konkretizohet në Mjekës. Ky është një investim që shkon në rreth 25 milionë dollarë dhe do punësojë rreth 150 persona në një fazë të parë. Mendoj se është një lajm i jashtëzakonshëm. Kjo është një firmë lider në Europë për prodhimin e armëve dhe municioneve dhe do ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të rivitalizuar uzinën e armëve të Mjekësit”, u shpreh ministrja e Mbrojtjes.

Xhaçka tha se pas Uzinës së Mjekësit, synohet që të rivitalizohen edhe ndërmarrjet e tjera ushtarake si ajo e Poliçanit dhe Gramisht. “Por sigurisht të tilla raste ne do të mundohemi që t’i shtyjme, që dhe zona e Poliçanit, Gramshit, që kanë një traditë, ekspertizë, kapacitet të caktuar të Burimeve Njerëzore për shkak të ekzistencës së fabrikave në këto qytete, sigurisht që do të tentojmë që të rivitalizojmë përsa është e mundur edhe këto zona përmes investimeve të huaja direkte”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria kanë menduar që këto uzina të rivihen në punë nëpërmjet partneritetit me privatët, si dhe me firmat e prodhimit të armëve dhe municioneve të vendeve të zhvilluara anëtare të NATO-s. Projekti parashikohet të zbatohet në Uzinën e Mjekësit e cila gjatë viteve të regjimit komunist është përdorur pikërisht për prodhimin e municioneve luftarake, ndërsa vitet e tranzicionit është shfrytëzuar për demontimin e armëve.

Mësohet gjithashtu se për prodhimin e armëve në Mjekës për NATO-n, ka shprehur interes një firmë e njohur italiane e specializuar në prodhimin e armëve dhe municioneve luftarake.

 

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne