Xhaka rrëfehet për ‘The Guardian’

Granit Xhaka ka qenë protagonisti i radhës i një interviste të gjatë për gazetën britanike ‘The Guardian’.

Futbollisti me prejardhje nga Kosova, ka rrëfyer shumë gjëra për prestigjiozen ‘The Guardian’, duke nisur nga burgu politik që kreu babai i tij nga sistemi jugosllav në Kosovë, jeta në Londër dhe takimet e shpeshta me shqiptarët, shkruan lajmi.net.

Babai i Granitit, kishte kaluar tre vite e gjysmë në burg si i burgosur politik nga sistemi jugosllav në Kosovë.

“Sa di unë, muajt e parë në burg ishin në rregull”, nis rrëfimi i Granitit. “Por pastaj ata filluan ta rrahin”, shton ai për ‘The Guardian’, përcjell lajmi.net.

Ragip Xhaka kishte qenë pjesëmarrës në demonstrata kundër qeverisë qendrore komuniste të Beogradit në Kosovë, si një 22 vjeçar, student i Universitetit të Prishtinës në Kosovë. E gjitha kjo ndodhi në vitin 1986.

Ai ishte arrestuar për t’iu shqiptuar pastaj një dënim prej gjashtë viteve, ku ndau qelinë me katër burra, dhe lihej i lirë një herë në ditë për 10 minuta.

“Si i biri i tij, kjo histori më prek shumë thellë, është vërtetë, vërtetë në zemrën time”, deklaron Graniti.

“Për të përshkruar babanë tim siç duhet, ju duhet ta kuptoni në thellësi këtë. Është kaq tragjike. Unë shpesh e pyes atë:” Më trego sërish”, por akoma mendoj se ai nuk ka zbuluar gjithçka. Ka pasur gjithmonë momente të heshtura, kur unë kam ndjerë se ka fshehur diçka, dhe nuk ka zbuluar të vërtetën. Ndoshta ishte shumë e thjeshtë, se ai donte të kursente fëmijët e tij nga i gjithë ky pikëllim”.

“Ai ishte një kosovar krenar, dhe mendonte se ata kishin të drejtën të ekzistonin. Ai po protestonte për të drejtat e tij, dhe këto të drejta janë bazike në demokraci, siç është e drejta për votë. Nuk ishte vetëm ai, kishte shumë njerëz të arrestuar, përfshirë edhe xhaxhanë tim”, ka vazhduar rrëfimi i tij.

Prindërit e Xhakës në vitin 1990 kanë emigruar për në Zvicër. Djali i tyre i madh, Taulanti kishte lindur në Bazel në vitin 1991, me Granitin që ka lindur 18 muaj më vonë.

Taulanti sot luan për Bazelin, teksa Graniti një vit më parë ka nisur një aventurë të re me Arsenalin.

24 vjeçari ka folur edhe për adaptimin e tij në Londër, dhe takimet e shumta që ka me shqiptarët.

“Kam gjetur këtu disa njerëz të vërtetë të mirë shqiptarë,” thotë Xhaka.

Ai thotë se me shumë shqiptar që i takon në Londër bisedon për futboll dhe shakat që i shkëmbejnë, sigurisht për ekipet e tyre të preferuar.

“Disa prej tyre drejtojnë një larje makine dhe unë marr dhe e dërgojë veturën time atje. Në chat dhe, sigurisht, është kryesisht për futboll. Disa prej tyre mbështesin Liverpoolin, disa Manchester United dhe ka shumë tifozë të Arsenalit. Ka shumë shaka dhe konkurrencë”, shton ai.

Tutje gazeta cek se Xhaka i detyrohet për gjithçka Zvicrës, për mundësitë e ofruara, por nuk mund të harrojë edhe rrënjët shqiptare nga Kosova, të cilat e ndjekin edhe në Londër, ku si fakt sjellë momentin kur mesfushori i Arsenalit po fotografohej në ‘Camedon Ton’ për këtë intervistë, derisa një kalimtar shqiptar i afrohet dhe ndjehet i gëzuar kur Xhaka i përgjigjet atij në gjuhën shqipe.

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne