Xhamia e Biçakçizades ose Xhamia e Agait

Xhamia e katërt e Elbasanit nga pikëpamja e vlerës arkitekturore ndodhej në ish pazarin e drithit, tashmë i transformuar në parqe dhe në një bulevard të gjerë. Ajo qe shpallur monument kulture, kështu që i mbijetoi 1967-ës, por u shemb në fillim të viteve ’70.

Xhamia dukej si një bllok kubik ndërtimi me kënde të zmusuara dhe një kube mbi tambur të madh tetëkëndor. Një minare shumë e gjatë e ndërtuar me tulla të holla, të suvatuara nga sipër, i jepte asaj një pamje të veçantë.

Xhamia e Agait

Xhamia e Agait

Nga ana arkitekturore, ajo mbizotëronte rrethinat e saj të thjeshta të dyqaneve të ulëta, të cilat përbënin anën perëndimore të Uzun Çarshisë. Kubi ka qenë pothuajse 11 metra i gjerë dhe i gjatë, pra pak më i madh se ai i xhamisë së Nazireshës dhe i Hasan Balizâdes. Dritaret, konturet e jashtme dhe tamburi i lartë, që ndahet në dy pjesë me korniza duhet të frymëzohej nga Xhamia e Nazireshës. Megjithatë, këtu jemi përpara një ndërtese të fundit të shekullit XVII, kohë kur arkitektura osmane në provincat e Ballkanit përjetoi një rënie të shpejtë të forcave krijuese. E gjitha u varfërua. Xhamia kishte kalota të vogla, të ndërtuara në këndet e brendshme të mureve për të mbajtur kubenë, por ato nuk kishin forcë. Ato kishin korniza stalaktite, duke i dhënë formë kamares, në të cilën ishin çelur dy dritare në murin ballor, por të realizuara pa finesë. Muret ishin të ndërtuara me një lloj cilësie të dobët ndërtimi, të përbërë nga shkëmbinj, gurë kave dhe blloqe të mëdha, të gjitha të mbuluar me një shtresë të trashë suvaje për të fshehur parregullsitë. Dritaret në muret anësorë dhe në murin e mihrabit nuk ishin të konceptuar mirë; ishin të parregullta dhe të dobëta për nga forma. I vetmi element i mirë ishte porta, e cila kurorëzohej me një “hark Bursa” të bukur. Minarja e humbi ballkonin e saj dhe pjesën e sipërme gjatë ngjarjeve të vitit 1967.

Para luftës II Botërore, xhamia ka qenë e rrethuar nga tri anët me anekse, tavanet e saj prej druri dukeshin akoma qartë në vitin 1967. Duket se xhamia origjinale kishte vetëm një portik prej druri përpara fasadës, ashtu si Xhamia e Nazireshës, por hapësira shtesë u krijua shumë më vonë, duke mbuluar ndërtesën e vjetër. Këto shtesa të shëmtuara u hoqën në vitet 1960, në kohën kur u planifikua restaurimi i ndërtesës. Pra, një tipar i dallueshëm i kësaj xhamie ka qenë volumi i saj jo cilësor, i cili ishte i tillë më tepër për shkak të mungesës së njohurive për përpjestimet (raportet), të pasqyruara në tamburin e dobët dyfish dhe të një kubeje, forma e së cilës ishte thuajse plotësisht e maskuar. Sidoqoftë ishin pikërisht këto elementë që u bënë karakteristikë e xhamive të shekullit XVIII dhe XIX, kohë kur Islami u përhap në vend dhe ishte i nevojshëm ndërtimi i xhamive të reja. Në atë kohë, arti osman e humbi plotësisht forcën e tij dhe u reduktua thjesht në një formulë.

Xhamia e Agait

Xhamia e Agait

Evlia Çelebiu e ka përshkruar këtë xhami menjëherë pas asaj të Hasan Balizâdes, duke i dhënë kështu vendin që i takon përsa i përket rëndësisë. Ai shkruan: Pas kësaj vjen Biçakcýzade-ja …Xhamia Aga në pazarin e drithit, një xhami e re dhe e bukur, me një minare të veçantë mirë proporcionale”. “E re” duhet të ketë kuptimin që xhamia ka qenë ndërtuar pak vite apo një dekadë a më shumë përpara vizitës së tij, pra me afërsi rreth viteve 1660-1670, të njëjtat vite në të cilat të çojnë tiparet arkitekturore.

Poshtë harkut që ndodhet mbi hyrjen ka qenë vendi ku dikur qëndronte mbishkrimi, që ka lidhje me ndërtimin e xhamisë. Ky tekst mund të jetë shkruar mbi një pllakë të mermertë, e cila është hequr kur xhamia është riparuar për herë të fundit. Gropa ka qenë mbushur me suva, në sipërfaqen e lëmuar të së cilës është shkruar një tekst i ri me bojë. Ai jep të dhëna në lidhje me rikonstruktimin e xhamisë në vitin 1354 H (1935/ 36). Unë nuk kam patur mundësi për ta studiuar atë nga afër. Nuk është siguruar asnjë informacion nëse ky tekst është ruajtur dhe përfshirë në muzeun lokal ashtu sikurse mbishkrimi i xhamisë së Hasan Balizâdes. Duhet përmendur se turqishtja osmane përdorej akoma si një mjet epigrafik (mbishkrimor) shumë dekada pasi sundimi osman kishte mbaruar në Shqipëri në vitin 1912. Buharaja ka përmendur se nuk janë numëruar më pak se 50 mbishkrime të tilla nga grupi i Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë në Tiranë.

Familja e Býçakcýzâdes ka qenë një nga më të rëndësishmet në Elbasan. Evlia Çelebiu e përmend atë si të tillë, ashtu sikurse edhe dr. Müller në vitin 1844 dhe Babingeri në vitin 1929./ elbasanid.org

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne