Xhamia e Plumbit, miratohet projekti i restaurimit

Ministria e Kulturës e Shqipërisë ka miratuar një projekt për shpëtuar Xhaminë e Plumbit në Shkodër nga përmbytjet.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro me anë të një postimi në Facebook tha se projekti do ti japë zgjidhje plagës kryesore të xhamisë.

“Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës i japin zgjidhje plagës kryesore në Xhaminë e Plumbit në Shkodër, pas miratimit të projektit për restaurimin e saj”.

Xhamia përmbytet rregullisht nga lumi Drin si edhe nga reshjet e shiut.

Për këtë projekt, Ministria e Kulturës ka nisur një bashkëpunim të hershëm me ambasadën turke në Tiranë.

“Për këtë projekt, Ministria e Kulturës ka nisur një bashkëpunim të hershëm me Ambasadën turke dhe Agjencinë turke TIKA, duke njohur vështirësinë e ndërhyrjes për shkak se pëson rregullisht  përmbytje nga lumi por edhe nga uji i reshjeve…”,  shkruan Kumbaro.

Vendimi është marrë në mbledhjen e fundit nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve, hartuar nga studio Ecolimarlik me mbështetjen e Drejtorisë së Përgjithshme të Vakëfeve në Turqi.

Ministrja Kumbaro gjithashtu thekson se ndërhyrja e posaçme kërkon ndërtimin e një dige rreth xhamisë për të mbajtur larg ujrat nga muri strukturor i ndërtesës dhe për t’i dhënë zgjidhje një herë e mirë këtij fenomeni që jo vetëm e bën të papërdorshme xhaminë e Plumbit, por edhe ka dëmtuar vlera të saj, që tashmë do të jenë objekt restaurimi.

“Tashmë vjen faza e vështirë e zbatimit të këtij projekti kompleks, por që do të shtojë një destinacion të ri për t’u vizituar në Shkodrën e kulturës dhe të diversitetit fetar“, përfundon Kumbaro në statusin e saj.

Xhamia e Plumbit është ndërtuar në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushatliu. Ajo është shpallur Monument Kulture, e Kategorisë së Parë, në vitin 1973 dhe është e vetmja xhami e ngelur në këtë zonë nga periudha e ndritshme osmane./ trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne